Përveç mandatit si të zgjedhur të popullit në Kuvend, ish-deputetët e opozitës kanë humbur edhe të ardhurat dhe të gjitha privilegjet e tjera që burojnë nga statusi i deputetit. Kuvendi i Shqipërisë është treguar kategorik dhe ka vendosur që të respektojë ligjin me përpikmëri sa i përket trajtimit financiar të përfaqësuesve të opozitës.
Kështu, ky institucion ka publikuar të dhënat për pagat dhe të ardhurat e tjera që kanë përfituar deputetët gjatë muajve janar dhe shkurt, që janë edhe dy muajt e fundit kur opozita ishte e pranishme në Kuvend. Por, ajo që vihet në tabelën e pagave dhe të ardhurave të tjera për muajin shkurt është fakti që Kuvendi i ka paguar deputetët vetëm për pjesën që ishin pjesë e këtij institucioni. Ndërkohë që ka bërë ndalesën e pagës, dietave dhe honorareve të tjera për pjesën e ditëve që ata zyrtarizuan djegien e mandateve dhe u larguan nga Kuvendi. Më konkretisht sa i përket pagës, Kuvendi i ka njohur si pagesën bruto vetëm 1.1 milionë lekë të vjetra nga 11 1.56 milionë lekë të vjetra që është paga bruto e një deputeti. Pra, siç shihet nga tabela e publikuar, Kuvendi i ka paguar ish-deputetët e opozitës për 21 ditët e shkurtit që ata kishin mandatin, ndërkohë që i ka mbajtur pagesën për javën e 4 të shkurtit.
Kujtojmë se opozita zyrtarizoi aktin e dorëzimit të mandateve të deputetëve në datë 21 shkurt, kur kryedemokrati Lulzim Basha së bashku me disa deputetë të tjerë dorëzuan dosjen me të gjitha dorëheqjet në protokollin e Kuvendit. Ndërkohë që paga neto për deputetët e opozitës ka shkuar në vetëm 820 mijë lekë të vjetra, pasi atyre i janë mbajtur kontributet shoqërore dhe ato shëndetësore, si dhe taksat. Natyrisht që në listën e ish-deputetëve të opozitës ka edhe nga ata që kanë marrë edhe më pak se sa kjo shumë, kjo pasi ata kanë bërë edhe mungesa të tjera gjatë 3 javëve të shkurtit.
Nga ana tjetër, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me të ardhurat e tjera që merr një deputet për shkak të statusit të deputetit. Bëhet fjalë për të ardhurat si honorarë, dieta, pagesë karburanti, telefoni apo qira shtëpie apo pagesë hoteli. Administrata ka bërë ndalesat përkatëse për secilën nga këto zëra për javën e fundit të shkurtit. Kështu, nëse një deputet merr mesatarisht rreth 400 mijë lekë të vjetra karburant në muaj (shuma fikse varet nga largësia që ka zona zgjedhore me Tiranën), përfaqësuesit e opozitës janë paguar vetëm për 21 ditët që ishin deputetë gjatë muajit shkurt dhe kanë marrë rreth 270 mijë lekë karburant. E njëjta gjë kanë marrë asnjë lekë.
Ndërkohë që e madhe është diferenca edhe në totalin e të ardhurave nga karburanti, telefoni, dietat dhe qiratë. Ndërsa një deputet i mazhorancës ka arritur të marrë rreth 1.6 milionë lekë nga këto të ardhura, shuma që kanë marrë përfaqësuesit e opozitës varion nga 370 mijë lekë të vjetra në 820 mijë lekë të vjetra.