Drejt jubileut shekullor të një Spitali.
Po i afrohemi shekullit të jetës dhe veprimtarisë së institucionit shëndetësor kryesor të qarkut të Beratit. Ky jubile i shënuar, ngjall dhe një krenari të ligjshme. Ai u projektua në vendimet e qeverisë, dalë nga Kongresi i Lushnjës (shkurt 1920), ka një trajektore të progresit, duke qenë, në veçanti, edhe tregues i hapave drejt konsolidimit të Pavarësisë dhe shtetformimit shqiptar. Retrospeltivisht, kthehemi në ato vite të vështira, kur u dëshmua vullnet i fortë, shpërthim antusiazmi, sidomos, përkushtim atdhetar i një plejade të lavdishme të msionit për të bërë Shqipërinë. Kur u gëzohemi fryteve të një bime apo luleve shumëngjyrëshe e aromatike, mendja na shkon tek burimi jetëdhënës i rrënjëve të padukshme nën dhe.
Ashtu edhe për proceset shoqërore, përcaktojmë faktorët e progresit: për bri mbështetjes së një populli të etur për liri, dije e një jetë më të mirë, të kësaj mase anonime, që përbën motorin dhe forcën lëvizëse të çdo progresi, historia, me të drejtë, në panteonin kombëtar vë edhe disa figura e personalitete të shquara, ata titanë të mendimit e veprimit, që dalin në krye të lëvizjeve shoqërore e në pozita qëndrore. Për krah tyre dalin edhe disa qindra dishepuj me shpirt krijues e organizues, më të përkushtuarit në përmasa lokale-rajonale, që vënë në jetë e drejtojnë aksione e projekte. Të tre këta komponentë socialë, së bashku, përbëjnë sukjektin e historinë dhe jetës shoqërore, sipas edhe parimit konstruktiv të urtësisë popullore: trimi i mirë me shokë shumë.
Po ngrihej një shtet, një popull po hynte në jetën e vet të lirë e sovrane; kush po vendoste një tullë, kush po bëhej nismëtar i hapave të reja drejt progresit? Të gjitha fushat e jetës ishin djerë, por tepër i ndjeshëm dhe i mangut kish mbetur shërbimi shëndetësor. Prandaj, na erdhi rasti të ndalemi më gjerëshsit në një nga figurat e grupimit të tretë, po vëmë në fokus të këtij shkrimi, si protagonist, një nga veprimtarët, që i dhanë imazhin dhe tonin asaj periudhe historike në rang rajonal. E kemi fjalën për doktor Hajdar Sulon (1866-1936), një nga ata, që nuk e diskutoj kthimin në atdhe pas diplomimit jashtë, as vendosmërinë e patundur të vënies në shërbim të popullit, i bindur thellë se vendi i vet i siguron punë, jetesë e qetësi, pod he entuziast I idealit për të bërë Shqipërinë.
Vënia e gjoksit, përfshirja me mish e me shpirt për ngritjen e Spitalit në fjalë, është dhe një kurorë e jetës dhe e veprimtarisë së tij. Kështu, hap pas hapi e vepër pas vepre, formohej e ngrihej dhe shteti ynë, sepse gjithnjë e kudo kanë spikatur individë të tillë, me përkushtim atdhetatr, qytetari e shpirt praktik, me altruizëm dhe vokacion njerëzor. Është ky Jubileu epokal i Spitalit në fjalë, që, nga një anë, nxit për zhvillim e shikim drejt të ardhmes; nga ana tjetër, natyrshëm, na obligon të kthejmë shikimin pas, në histori, në ato vite të lavdishme të sendërtimit të vendimeve pas Kongresit të Lushnjës.
Themeluesi dhe drejtori i parë i Spitalit rajonal. “Hajdar efendi, i ish drejtuar Kryetari i Bashkisë së Beratit, para rreth një shekulli, – do të ngrini spitalin e qytetit, jeni mjeku dhe drejtori i parë i tij. Zoti ta bëftë mbarë!”. “Ja ëndrra ime shumëvjeçare” – mendoi ai me vete; – një sihariq ky, por dhe një obligim madhor”. Duhej të çelej një veprimtari e re pa godinë me komoditete e instrumente, as ekip mjekësor; as nuk pritej të bëhej gjë me “frymë të shenjtë” apo “me urdhër të peshkut”, një buxhet me pikatore. Kish ndodhur krejt si në Bibël, ku thuhet: Në fillim ishte fjala. Ish mjekut të vet prej shumë vjetësh, Bashkia nuk i dorëzoi çelësa, ku duhej të punonte, i ndau vetëm fare pak para (sa ka mbetur fjala: “5 lekë nga Bashkia, 95 nga populli dhe nga xhepi i tija); e uroi për punë të mbarë, bazuar vetëm në reputacionin dhe besimin që kishte investuar. Arkitekt i projektimit, edhe i zbatimit, vetë edhe i drejtimit. I mbetej t`i përvishej punës, të niste gjithçka nga e para. Bazuar në atdhetari e pasion, sipas dhe urtësisë popullore: thërriti nevojës se të ndihmon, shkoi oxhak më oxhak e portë më portë me rixhanë të ndihmonin për ngritjen e Spitalit.
Ekonomat caktoi burrin e mençur nga Magdalena Vasil Pambukun (ku ish strehuar familjarisht në terrorin e verës së vitit 1914), të cilin e porositi: Në këtë kanë ke paret e mbledhura, bashkë me ca kursimet e mia, ruaji mirë dhe shpenzoi me dorën tënde të bardhë, as të shtrenguar grusht, as të hapur si pëllëmbë, shënoi mirë harxhet që po nxjerrim nga qesja, se janë të popullit. Me një karvan kafshësh shkoi në Shkodër për sigurimin e batanieve, në Vlorë për krevate të hekurta. Nga shtëpia e vet, bashkë me veglat e punës, mori edhe disa orendi. Kur u përball me lotët e të shoqes në sy: Mbahu, moj hanëm Nafise, –i tha– mos e turpëro fisin e madh të Mahmut Bej Myftarajt (Shënapremte) se do t`i blejmë të reja. Kryefamiljarja nga lagjja Goricë, Urani Filipi, me shumë bujari vuri në dispozicion shtëpinë e vet, pa bërë pazar, duke mbyllur sytë kur ra fjala për qiranë, mëgjithë barrën e madhe që kishte për rritjen e fëmijve. “O Mete plagëlidhësi, – iu drejtua vetë doktori, Muhamet Kucos, – më kanë thënë se mirë e ke mësuar zanatin e infemierit në spitalin ushtarak austriak të Fierit, a nuk vjen të punosh me mua në spital për qytetin e njerëzit tanë?” “Me zotrote dhe në fund të botës!”, ish përgjigjur ai. Rrobalarëse ishte Shaqja nga Mëhalla e Re. Bashkë me gjellëbërësin e dy roje, u krijua, kështu, personeli i parë prej 6-7 vetash. Fillimi i mbarë, gjysma e punës.
Koha e procesit të kthesës cilësore të shërbimit shëndetësor. Personi që u shqua si person publik në vitet më të vështira të kombit, para dhe pas shpalljes së Pavarësisë, i dha jetë një spitali, vuri një tullë në ngritjen e shtetit të ri shqiptar. Drejtori i parë, administratori i mirë i kaloi me vullnet e përkushtim dhimbjet e lindjes së veprës që iu besua. Me 44 vjet në shërbim të vuajtjeve e plagëve njerëzore dhe sa lindjeve të vështira, përball të cilave, la dhe një vepër me devotshmërinë e tij si vlerë të shtuar. Institucioni i ri shëndetësor, përfshinte në rrezen e vet edhe Fierin, Lushnjën, Mallakastrën e Skraparin, ku deri atëhere kishte vetëm nga një ambulancë, e drejtuar, ndonjëherë nga infermierë. Aktivizimi për konsulta edhe në ambulancën e Bashkisë, rendja pas pacientëve ditë e natë, i jepnin sadisfaksion dhe forca të reja. Ngjante sikur profesioni kish gjetur njeriun dhe jo njeriu profesionin. Ishte i 74-ti në listën e rreth 180 mjekëve të parë që kanë shërbyer në trojet shqiptare për gjatë shekullit 19-të e deri në fillimet e shekulit 20-të.
Drejtuesi dhe administratori, mjeku i vetëm bëri që ai spital, gjatë viteve, të njohë vetëm rritje, deri në 180 shtretër e mjete të tjera, përmërësim të vazhdueshëm të shërbimit. Për më tepër, siç rezulton dhe nga historiku i mjekësisë tonë, në shekullin e 20-të, nisi edhe një kthesë cilësore të mirëfilltë: nga primitiviteti drejt jetës moderne; nga endja e njerëzve për shumë halle nëpër klerikë, tyrbe e manastire, bazuar në supersticione, në shërbimin mjekësor shkencor; nga mjekësia empirike (popullore), edhe me kirurgë-xherahë, jo pak sharlatanë, në kujdes të organizuar; nga mungesa e legjislacionit sanitar dhe vaksinimit, në kujdes të organizuar e të ligjshëm; nga epidemitë, sëmundjet ngitëse, malarja e turbekolozi jetë-kositës, në shpëtimin dhe shëndoshjen e jetës; nga disa shërbime private, sporadike dhe elitare, në kujdesin shëndetësor, pak a shumë, masiv. Brezat e banorëve të qarkut kanë skalitur në kujtesë e u kanë trasmetuar pasardhësve respekt të veçantë për atë vatër të parë të kujdesit shëndetësor, ku, infemieri, drejtori, njëherazi dhe mjeku i vetëm, punuan me pëkushtim. Kjo është dokumentuar edhe me një akt-kontrolli të Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë, ku thuhet tekstusliasht: “Spitali ndodhet në gjendje shumë të mire.
Do të jetë fatbardhësi sikur të jenë edhe spitalet e tjerë të Shtetit në këtë gjendje” (1923). Të 10 spitalet e para, të ngritura në qytetet kryesore të vendit, dëshmojnë, se pas shumë odiseve, edhe vetë shteti shqiptar po vihej në binarët e organizimit e të funksionimit mormal. Të 10 spitalet e para, të ngritura në qytetet kryesore të vendit, dëshmojnë, se pas shumë odiseve, edhe vetë shteti shqiptar po vihej në binarët e organizimit e të funksionimit mormal. Edhe në këtë rast bënte të vetën ligji dialektik i kalimit të ndryshimeve sasione në ndryshime cilësore. Në marrjen e kësaj kthese, jo pak i ndieshëm, ishte edhe roli e kontributi i doktor Hajdarit. Shkurt, spitali, që nisi jetën në Berat, merr kuptimin e vlerën e një guri në themelet të vetë shtetit që po ngrihej. Doktori bëri maksimumin për popullin dhe vendin e vet. Emri i tij u bë sinonim i shpirtit thellësisht human, i vizionit erudit dhe i sensit krijues e organizues. Bashkëkohësit e kanë shprehur hapur se kishin të bënin me një personalitet të kompletuar e të spikatur, të brumosur, pozitivisht e virtytshëm, në të dy shtyllat përcaktuese të çdo personaliteti, edhe me erudicion intelektual e aftësi profesionale, edhe me karakter të shëndoshë, të karrikuar rëndshëm atdhetarisht.
Intelektuali vizionar dhe veprimtari atdhetar. Doktori del i njohur në document, edhe me titulln honorifik Ali Hajdari. Është bir i një familjeje atdhetare arsimdashëse e intelektuale, një rast, cilin populli thotë “dardha nën dardhë bie!”. U arsimua në “Zosimea” të Janinës, u diplomua në Stamboll, ku u cilësua në dokument me fjalën “Aligjullala” (i shkëlqyer); bëri specializim edhe në Francë për ndërhyrje kirurgjikale në lindje të vështira. Fakulteti e lakmoi, iu bë dhe ofete për të qëndruar në Stamboll. “Jo, jo, atje në Arnautllëk” – i ish përgjigjur ai ofertës joshëse. E kishte ndar mendjen, në mënyrë të prerë, të mos endej në dhe të huaj se “si guri që rëndon në vendin e vet, ashtu dhe vendlindja të jep nderin e vlerën!” E bënë të vetën vokacioni atdhetar, fuqia e lidhjes së gjakut, dhe forca e gravitacionit të vend-lindjes.
Dhe u kthye në vendin e varfër e të robëruar nga osmanllinjtë, zgjodhi bash Beratin, vendlindjen e nënës së vet, nga ku i kishin mbetur të skalitura dhe kujtimet e bukura fëmijërore të gjyshes e gjyshit; në Ambulancën e Bashkisë, u bë shpresa e shpëtimi i qindra të sëmurëve e fatkeqëve për krejt krahinën nga Shkumbini në Vjosë, nga Sulova në Adriatik. Pasi ish afirmuar në jetë si person publik, deri dhe me shfaqje heroizmi, ai u përfshi edhe në librin e Profesorit Fejzi Hoxha, Njoftime historike mbi zhvillimin e mjekësisë në Shqipëri, ku theksohet se: “i lindur në Libohovë, mbaroi fakultetin e mjekësisë në Stamboll (1892), ushtroi për një kohë të gjatë profesionin si internist, … iu dogj shtëpia e u burgos më 1914, kur rebelët pushtuan Beratin; ka qenë për shumë vjet rrjesht mjek i Bashkisë dhe i pari drejtor i Spitalit të Beratit … me ndihmë e Bashkisë dhe të vetë popullsisë së qytetit, u ngrit një spital i vogël, me drejtor doktor Hajdar Sulon, i cili ndihmoi edhe vetë për pajisjen me materiale” (f. 93, 175, ribotim, v. 2006).
Shërbimin shëndetësor tërë pasion, nuk e ndau nga obligimet e tjera qytetare; u tregua aq aktiv e i devotshëm, bash në atë periudhë vorbulle të jetës e fateve kombëtare. Deputoi me përkushtim edhe si veprimtar patriot. Kështu, mbështeti e ndihmoi gjirokastritin Baki Gjebrea për ngritjen e çetës së armatosur (1906-1908), aderoi në “Shoqërinë për shpëtim” (1910), që kishte në program mëvetësinë e Shqipërisë nga Turqia; shkoi në malin e Sinjës për të mjekuar plagët e kryengritësve (25 korrik 1912), ku nënëshkroi edhe Memorandumin përkatës; u gjend në ballkonin e Bashkisë së qytetit më 27 nëntor 1912 për ngritjen e Flamurit, duke dhënë porosi që ai të ngrihej edhe në çdo shtëpi, ndërsa për rreth gjendeshin 14 mijë ushtarë turqë; përjetoi shpalljen e Pavarësisë dhe themelimin e shtetit shqiptar. Bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit për strukturimin dhe përbërjen e shëndoshë të administratës bashkiake; gëzoi edhe mandatin e nënkryetarit të Këshillit të pare bashkiak etj.
Në fund të qershorit 1914 burgoset nga turkomanët, të cilët i vunë zjarrin shtëpise dhe e dënuan me vdekje. Pas arratisjes, mrekullisht nga burgu, u përball me andartët grekë që mundën të hyjnë në Berat më 7 gusht 1914, si mercenarë të lëvizjes vorio-epiriote, të cilëve, gjithastu u shpëtoi nga pushkatimi; përcolli Luftën e Parë Botërore (1914-1918), kthimin e vendit në arenë luftimesh e pushtimesh të huaja, si dhe rezistencën për mbrojtjen e trojeve amtare të coptuara e gjithënjë të lakmuara. I bashkuar në “Grupin Demokrat Lokal”, ai u përfshi edhe në zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese (1923). Me një fjalë, koha, në rolin e gjykatësit më të drejtë, ka përcjellë të gjallë atë emër dhe veprën e tij historike. Mbeti në kujtesë si një intelektual i kompletuar, polyglot, me bibliotekë të pasur e libra në disa gjuhë; qytetar i zgjuar e trim, që përcolli me guxim dhe në mënyrë tepër aktive dekadat me kritike e vendimtare të historisë së kombit dhe shtetformimit.
Mendo ç`bën ti për kombin dhe jo ç`bën kombi për ty, – këtë parim altruist, fisnik e human kishte në themel të jetës e punës protagonist ynë. E bëri të vetën si njeri model dhe atdhetar i palëkundur. Për një figurë të tillë është pak të thuash se “nuk vdesin ata që kujtohen”. Ajo mbetet një jetë me vlera e mesazhe të mëdha! Po dhe Berati i lashtë, gjithënjë i ndjeshëm ndaj historisë së vet, kujton vepra e vlera të vyera të rritjes e zhvllimit, ka nderuar edhe atë bir të tij, që kontribuoi në përmbajtjen e kuptimin e historisë së qytetit. Ftesës për të marë pjesë në tubimin homazh të 60 vjetorit të vdekjes (1996), Dr. Ymer Dishnica iu përgjigj me gadishmëri entuzisaste: “Do të vi në Berat dhe do të flas për Hajdar Sulon, se ai bëri shumë për njerëzit. Kur isha në Paris, posa vuri këmbë aty, ai kërkoi të njihet me studentët patriotë shqiptarë”.
Po edhe ndërgjegjja popullore e institucionet zyrtare, nga ana e tyre, e respektojnë historinë, dinë të çmojnë e të nderojnë edhe personalitetet e veprat e tyre. Koha, në rolin e gjykatësit më të drejtë, atë emër dhe vepër e ka përcjell të gjallë, me mirënjohje e repsekt. Flasin për njeriun e mirë mjaft dokumemnte autentike në Arkivin Qëndror të Shtetit dhe në Muzeun Historik të qytetit; e përmendin si themelues të Spitalitspitali në librat e tyre, krahas Profesor Fejzi Hoxhës, në librin e përmendur, po ashtu dhe në “Njohuri historike” të dr. Namik N. Shehut; përkujtohet në sesion të posaçëm më 14 qershor 1996, në Sallën e Bibliotekës “Vexhi Buharaja, organizuar nga Bashkia dhe Muzeu Historik; përjetësohet në Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr. 7, dt. 2 gusht 1996, me përmbajtjen: “Spitali zonal i Beratit emërtohet Spitali zonal “Hajdar Sulo”. 2. Ngarkohet për zbatimin e këtij Vendimi struktura përkatëse”. (Vendim, që sepse ka mbetur i ngrirë, në pritje të vihet në jetë). Për këtë personalitet, është shkruar e folur gjerësisht në organet lokale e qëndrore të shtypit (“Kushrimi”, “Rilindja”, “Lajmëtari”, “Republika”, “Shqip” dhe me emisione të posaçme stacionesh televizive “Berati” e “Onufri”. Jetës dhe veprës së tij, pasardhësit i kanë kushtuar edhe një monografi të plotë: “Doktor Hajdar Sulo, 1866 – 1936” (Tiranë, 2008, 240 faqe), e vlerësuar me aq ngrohtësi në tubimin-promovues, organizuar nga Bashkia dhe Biblioteka e qytetit (2008). Ky dosier i pasur, dëshmon faktin se kemi të bëjmë me një jetë dhe vepër, që ka zënë vendin e merituar; një qytetar të kompletuar, subjet dhe pasuri kombëtare në kujtesën popullore dhe në arkivën historike.
Afrimi i 100 vjetorit të themelimit të atij Spitali, përbën evenimentin më fatlum për t’i shprehur mirënjohje dhe respekt, për t’i bërë homazh e vlerësim më të plotë kësaj figure të shquar.