Qeveria shqiptare ka miratuar një dokument me informacione të detajuara rreth migracionit në Shqipëri. Dokumenti është përgatitur nga Ministria e Brendshme për periudhën 2015-2018, por përmban analiza për situatën aktuale si dhe bën parashikime për të ardhmen. Sipas të dhënave, 1 584 137 shqiptarë jetojnë dhe punojnë jashtë territorit të Shqipërisë, nga të cilët 828 530 janë meshkuj dhe 755 607 femra. Shumica e emigrantëve shqiptarë janë vendosur në vendet fqinje si Italia (455 468) dhe Greqia (429 428). Ndërkaq, popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2019, rezulton 2.862.427 banorë duke pësuar një rënie me 0,3 %, krahasuar me 1 Janar 2018. Popullsia e Shqipërisë në vitin 2031, sipas projeksioneve të përditësuara, llogaritet se do të jetë 2 745 996 banorë, pra 116 731 banorë më pak. “Lëvizjet migratore vazhdojnë të ndikojnë në pakësimin dhe plakjen e popullsisë. Këtë e dëshmon edhe periudha 2015–2018, me një rënie të popullsisë prej rreth 14 000 banorësh, ndërkohë që, gjatë katër viteve të fundit, norma e uljes së popullsisë është prej -0.2 % në vit”, thuhet në dokument.
Sipas dokumentit, arsyeja kryesore e largimit nga Shqipëria është “Mundësi punësimi” 84,0% dhe vetëm 4.2% duan të emigrojnë për shkak se kanë mbetur pa punë në Shqipëri. Numri i emigrantëve shqiptarë për vitin 2018 ishte rreth 38 700, ndërsa numri i imigrantëve që kanë hyrë në Shqipëri ishte rreth 23 700. Migracioni ndërkombëtar vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm për zhvillimet demografike të vendit. Mbizotërimi i të larguarve në raport me të ardhurit ka një ndikim të menjëhershëm në numrin e popullsisë. Gjithashtu, migrimi i femrave në moshë pune dhe riprodhuese ndikon në treguesit më të rëndësishëm demografikë, siç është rënia e lindshmërisë. Në vitin 2018, në popullsinë e Shqipërisë, të rinjtë (0–14 vjeç) zinin 17,5% të popullsisë, popullsia në moshë pune (15–64 vjeç) llogaritej në rreth dy të tretat ( 68,7%) e popullsisë, ndërsa popullsia mbi 65 vjeç zinte rreth 14 % të popullsisë së vendit. / shqiptarja.com
