Është shuar në moshën 93-vjeçare Piero Angela, gazetari i RAI që prej dekadash ka vënë firmën e tij në emisione mitike si Quark, Super Quark, Ulisse dhe shumë të tjera, vitet e fundit bashkë me djalin Alberto.
Erudit, muzikant i mirë jazz-i në rini, ndjekës i paepur i metodës shkencore dha racionale, Angela ka karakterizuar për 7 dekada televizionin italian, ndoshta një rekord botëror. Gjuha e tij e thjeshtë për të shpjeguar fenomenet e natyrës kanë mbledhur rreth ekranit gjenerata të tëra.
Të shumta kanë qenë reagimet nga institucionet italiane, ndër të parët kryeministri Draghi, i cili e ka cilësuar gazetarin si “një italian i madh, që ka bashkuar vendin si pak të tjerë”.
