N
Kryeministri ynë kohët e fundit, gjithnjë e më shpesh, po merr arratinë nga Tirana si pasojë e protestave të Opozitës! Kjo e fundit, që u zhvillua sot (e shtunë), e bëri të largohej qysh dje dhe të mbyllej në Berat, kthinave! Në këto kushte të pazakonta mbase një doracak (manual) me disa këshilla mund t’i bëjë punë për t’u kthyer herë pas here në zyrë, sigurisht me një dozë të caktuar kujdesi!
Qytetarët e shumtë të këtij 16 marsi konfirmuan që opozitës nuk po i bie mbështetja me kalimin e ditëve, përkundrazi po i rritet. Loja me kohën, Edi Ramës nuk po i funksionon siç ka menduar! Ajo po konfirmon mosqeverisjen e vendit dhe mbajtjen e pushtetit me gaz lotsjellës e blinda policët. E tha, çdo gjë mund të preket, por qeveria jo, frazë fatkeqe kjo, e cila nënkupton se le të preket çdo gjë, vetëm karrigia e Edi Ramës jo! Po na kumton se le të sakrifikohet vendi për pushtetin e tij të goditur rëndë në legjitimitet! Jakë-jakë po belbëzon se kriza do na pengojë edhe për marrjen e statusit! Megjithëse vjet na tha që e morëm dhe çeli festimet për marshAllah!
Në fakt, janë 6 vitet e qeverisjes së tij që e bëjnë Europën refuzuese dhe jo djegia e mandateve apo derivatet e këtij akti! Pjesëmarrja masive në protestë mbetet kryelajmi i cili prodhon efekte të kundërta – shqetësim për qeverinë dhe entuziazëm te PD, LSI me aleatët e tyre! Po ashtu, deklaratat e së premtes nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë me një gjuhë të njëanshme nuk e tkurrën aspak vullnetin e demonstruesve për t’u grumbulluar në shifra mbresëlënëse, leximi i të cilave do të ndikojë mbi ngjarjet! Maskarada me kandidatët në listat për deputetë të opozitës, të cilët po joshen në mënyrën më të ndyrë për të zënë vendet e opozitës në Parlament, me gjasë po refuzohet nga shqiptarët! Emërimi i opozitës, një çmenduri e panjohur për demokracitë europiane po i tremb qytetarët dhe po i bën ata reagues! Tensioni para Parlamentit, më shumë një metaforë politike nën kontrollin e lidershipit opozitar për momentin sesa realitet, e ktheu krizën në faqet e para të të gjitha agjencive më të rëndësishme botërore me gishtin drejtuar nga Edi Rama!
Tani shkodranët, vlonjatët, elbasanasit, durrsakët, korçarët etj., po kthehen në shtëpi pas disa marshimeve para e pas pallatit të Kryeministrisë dhe Parlamentit! Dikush duhet ta lajmërojë Ramën që të fillojë përgatitjet për të ardhur, por pa ngut se ata mund të pendohen e rikthehen përsëri në Tiranë se kanë dorë të rëndë qerratenjtë! Ja, edhe në shtatorin e ‘98-s e bënë të rëndë, sa mbi një mur aq mbi një tjetër me merakun mos e zënë dhe i këpusin ndonjë të pabërë! Një sërë këshillash janë mëse të domosdoshme për t’i ulur ankthin Kryeministrit në arrati. Së pari, duhet të bjerë nata krejtësisht! Vëmendja gjatë errësirës dhe tisit të saj bie. Në zyrë le të çojë Erion Braçen të ndezë dritën dhe të presë nëse mblidhet ndokush poshtë dritares e ta lajmërojë menjëherë, teksa vetë ai rri në Pezë, i veshur e i mbathur! Po ashtu, gjatë javëve në vijim, meqenëse Braçe është pothuaj i padukshëm, ta instalojë në vend të kamerave sipër markizës mbi derë e të hetojë çdo lëvizje! Te vendi bosh i së ndjerës kërpudhë të vendosë Besën dhe ta lyejë me ato ngjyra që të mos kuptohet më shënimi, rrini larg se është helmuese!
Monumentin e Ismail Qemalit ta heqë dhe ta zëvendësojë me Baba Takun, me pak rregullime, si syzë e rruarje flokësh mund të përgjojë çdo person të dyshimtë për trazira! Tek ai i Gjon Palit, si katolik që është, le të vendosë atë të Punëve të Brendshme, ta veshë me zhgun dhe ta lyejë me varak! Ai mund të mbajë nën kontroll atë anë pa i bërë syri tërr! Sipër në shkallare, në vend të Nënë Terezës të terezisë gjeniun, t’i lidhë një shami në kokë, t’i ulë pak vetullat dhe ai të lërë Naimin e të recitojë vargjet e Shenjtores për të ulur zemërimin e turmës! Përballë selisë së PD-së në një stol, sikur po përkthen Kunderën, le të rrijë Mirela Kumbaro, e cila me sytë pipëz të këqyrë, kush hyn e kush del në seli me atë shikimin shpuzë, që veç ajo di ta kompozojë! Sonte është mirë që Rama të hyjë në qytet pa eskortë, mbase me një makinë çfarëdo ose edhe me biçikletë, i veshur tebdil me një sharrë në krah, qylaf mbi kokë e të tjera pajime maskimi! Menjëherë, nga e hëna e në vazhdim, e ka jetike të ndryshojë oraret e shkuarjes në zyrë! Sa më herët në agim, më mirë është e mos ta teprojë në qëndrim! Makinën ta lërë gjithmonë ndezur dhe një çantë krahu mbi tavolinën e punës, me gjërat e domosdoshme, si ujë, panine, aspirina, të brendshme, tekstet e Ornela Vorpsit të cilat i përkthen gjatë netëve kur i duhet të fshihet etj.!
Mbledhjet e qeverisë, hëpërhë, s’do të ishte keq t’i bënte te tunelet e Dajtit. Njerëzia mblidhet menjëherë, siç e kanë dëshmuar edhe me vendosmërinë e tyre, sa herë merret vesh se ka Parlament, i cili i është përshtatur më mirë ilegalitetit. Eksperienca që Ruçi po shfaq, edhe falë leximeve me objekt komandantin, i cili strehohej te shtëpia e Gogos, duhet marrë në konsideratë! Shtëpitë në jug të vendit, që po i përdor si baza strehimi, është mirë të rrinë gjithmonë në gatishmëri si jatak i ngrohtë në ditë të keqe! Atje i duhet vendosur një gramafon me pllaka, ku kënga “Si të lashë e më s’të pashë, moj e bukura More” të vërtitet ëmbël për t’i qetuar xhanin plot pezëm. Në televizorë, jo e jo, të mos e nxjerrë kryet se atyre u dihet adresa dhe, dreqi e di, ia behin sa hap e mbyll sytë në mes të studios! Ditët në vijim duhet të bëjë zap edhe gjuhën e azdisur, e cila i vete ku i dhëmb dhëmbi!
Në Berat akuzoi ca burra se nuk iu bëjnë punë grave, ndaj ata po e kërkonin gjithandej për ta bindur se ka punë e punë, por me radhë! Për aq sa punon, Ramës edhe 7-8 ditë në muaj i mjaftojnë për të qëndruar në Tiranë pa rënë në sy, se pjesën tjetër e kalon në “Facebook” dhe “ERTV” e ato atlete, që ka shpikur Oksidenti, funksionojnë edhe në male e lugina! Rixha, kush e sheh apo e takon, le t’ia çojë doracakun se arratia sukave e gërxheve është brengë e madhe për një që e ka lidhur jetën me Kryeqytetin dhe restorantet e tij shik! Më pas, ai mund të kthehet në majë të gishtave! Nëse i duhet të ikë për fare në të ardhmen dhe e këput malli, le të kthehet e të hipë mbi kalin e Skënderbeut e Gjergjin ta rrasë në magazinë, por sigurisht pa atlete e brandavekë se dallohet dhe e potomisin, për më tepër Heroi nuk vishte nga ato të uruara!