Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimet për Moisi Habilajn, Florian Habilajn, Tigrenc Mezuraj, Armando Sulaj, Meridian Sulaj, Nezar Seiti e të tjerë dhe e dërgoi çështjen për gjykim. Akuzat që rëndojnë ndaj 9 të dyshuarve janë ato të “Grupit të strukturuar kriminal”, “Trafikut të drogës” dhe “Kultivimit të drogës”. Në përfundim të hetimeve, 3 prokurorët e çështjes, Vladimir Mara, Arens Çela e Dritan Prençi, thonë se i dyshuari Moisi Habilaj është mbështetur nga punonjës Policie dhe zyrtarë të lartë të Policisë për kultivimin e kanabisit, e më tej edhe të trafikut të drogës.
Nga ana tjetër, hetimet për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, janë veçuar. Për Tahirin, Prokuroria ka afat deri më 19 janar për t’u shprehur. Dosja hetimore nis me aksionin policor në fshatrat Treblovë e Vezhdanisht, më 4 tetor 2016, gjatë të cilit u asgjësuan disa parcela që furnizoheshin përmes tubacioneve, të lidhura me një rezervuar uji.
Ndërsa bie në sy edhe një episod ku rezulton e përfshirë Policia. Nga përgjimet telefonike ka rezultuar se bimët narkotike të prera nga ana e Policisë janë lënë të padëmtuara dhe pjesëtarët e këtij grupi kriminal e kanë marrë lëndën narkotike pasi është prerë nga forcat e Policisë.
Gjithashtu, nga këqyrja e të dhënave të aparatit të telefonit të sekuestruar shtetasit Taulant Haxhiraj, rezulton se ai bisedon me anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar, duke shkruar për faktin se çdo gjë bëhet “Me shtet”. Pra, ky aktivitet kriminal bëhej me dijeninë e Policisë së Shtetit.
Dosja e plotë në Gjykatën e Krimeve të rënda
Ne, Vladimir Mara, Arens Çela, Dritan Prençi, me detyrë prokurorë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në bazë të nenin 327 të Kodit të Procedurës Penale, i njoftojmë përfundimin e hetimeve të pandehurit: Nezar Seiti, i biri i Lutfiut dhe i Shyqyretes, i datëlindjes 30.03.1977, lindur në Gjorm, Vlorë dhe banues në Gjorm, Vlorë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me gjendje familjare i martuar, me gjendje gjyqësore i padënuar.
Ai akuzohet se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.134/1 të vitit 2016, në ngarkim të të pandehurit Nezar Seiti, i akuzuar për veprat penale të lartpërmendura, ka rezultuar se:
Prokuroria për Krime të Rënda, Tiranë, mbi bazën e materialit hetimor të referuar nga Policia Gjyqësore, ku rezultonin të dhëna se disa persona vepronin në formën e organizuar të një grupi kriminal, ushtronin aktivitet kriminal të kultivimit të bimëve narkotike në territorin e Vlorës, më datë 08.07.2016 ka regjistruar procedimin penal nr.134, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”.
Nga të dhënat e marra nga bisedat telefonike, rezulton se personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike në rrethin e Vlorës, ishte shtetasi Taluant Haxhiraj, i cili rezultonte se veprimtarinë e tij të kundërligjshme lidhur me kultivimin e lëndëve narkotike, tregtimin (shitblerjen) e lëndëve narkotike të forta e kanë kryer në bashkëpunim me shtetasit Renaldo Avdyli (punonjës Policie), Xhovalin Baço, Shkëlqim Koçiaj, Marjus Bajrami, Reshat Radhima.
Mbi bazën e të dhënave të marra nga përgjimet telefonike rreth aktivitetit kriminal të kryer nga personat e lartpërmendur nga ana e Policisë Gjyqësore, më datë 08.09.2016 është bërë këqyrja e vendeve dhe pikërisht në fshatin Treblovë, Vlorë, në afërsi të varrezave të fisit Lamaj. Këqyrja është shoqëruar edhe me fotografimet përkatëse. Gjatë këqyrjes janë evidentuar parcelat e mbjella me bimë narkotike.
Po ashtu, më datë 04.10.2016, nga ana e Policisë Gjyqësore, është ushtruar kontroll në fshatrat Vezhdenisht dhe Treblovë dhe nga kontrolli i ushtruar janë konstatuar parcela të mbjella me bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes të datës 04.10.2016, është konstatuar se në një zonë të pyllëzuar midis fshatrave Vezhdanisht dhe Treblovë, kishte një parcelë e mbjellë me bimë narkotike e llojit kanabis sativa. Në anën lindore, ngjitur me këtë parcelë, ndodhej dhe një tjetër parcelë e mbjellë me bimë narkotike të llojit kanabis sativa.
Në parcelën e parë janë konstatuar 1430 rrënjë të mbjella me bimë narkotike në fazën e pjekjes. Në vijim të këqyrjes është konstatuar se në pjesë të kësaj sipërfaqeje të mbjellë me bimë kanabis sativa, në largësi 7 metra nga përroi, gjendej një objekt i ndërtuar me material druri dhe i mbuluar me plastmas me ngjyrë të zezë. Ky objekt ka përmasat 37×7 metra. Në gjithë hapësirën e brendshme të këtij objekti gjenden të varura në 11 rreshta bimë të prera me kërcell, gjethe dhe boce bime narkotike të llojit kanabis sativa.
Gjatë këqyrjes së këtij objekti, në brendësi të tij, u gjetën 3 thasë me ngjyrë të bardhë, të cilët ishin të mbushur me material bimor të tharë në formë boçeje, lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Gjatë këqyrjes së këtij objekti u gjetën veshmbathje, vegla pune, artikuj ushqimorë, batanije, si dhe 7 palë gërshërë.
Në largësi 10 metra nga kasollja, u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri, automatik, me nr.2015083, bashkë me një krehër me fishekë, i futur brenda një batanije. Në vijim të këqyrjes së vendit të ngjarjes u konstatua se në anën jugore, ngjitur, ndodhen të mbjella 1550 bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Gjatë këqyrjes u konstatua se në afërsi të parcelës së parë ndodhej një rezervuar i mbushur me ujë.
Në afërsi të këtij rezervuari ndodhej një pompë uji dhe një gjenerator, të cilat janë të lidhur me një sistem rrjeti tubacionesh të shpërndara në gjithë sipërfaqen e mbjellë me bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Në vijim të këqyrjes së vendit të ngjarjes, në largësi 600 metra nga parcelat e tjera, u konstatua një parcelë e mbjellë me bimë narkotike kanabis sativa. Kjo parcelë ka sipërfaqe 63×15 metra. Në anën lindore të kësaj parcele ndodhej një objekt i ndërtuar me material druri dhe i mbuluar me plastmas.
Në brendësi të këtij objekti ndodheshin të sistemuara në rreshta bimë narkotike të prera dhe të thata. Nga ana e Policisë Gjyqësore, gjatë këqyrjes janë konstatuar dhe disa parcela të tjera të mbjella me bimë të dyshuar si bimë narkotike të llojit kanabis sativa dhe disa objekte të tjera, në të cilat ndodheshin sasi të mëdha lënde narkotike të llojit kanabis sativa në gjendje të tharë.
Parcelat e mbjella me bimë narkotike dhe objektet e ndërtuara në afërsi të këtyre parcelave me lëndë narkotike në gjendje të thatë, shtriheshin në të dyja anët e luginës në një sipërfaqe të konsiderueshme që mbulonte pothuajse të gjithë territorin e kësaj lugine, që i përket zonës së Treblovës dhe në vazhdim të parcelave të përshkruara më lart. Nga ana e Policisë Gjyqësore kanë vijuar këqyrjet dhe veprimet e mëtejshme hetimore lidhur me sipërfaqet e mbjella me lëndë narkotike dhe objektet, në të cilat ndodhej lënda narkotike në gjendje të thatë dhe veprimet e mëtejshme hetimore janë referuar në Prokurorinë e Vlorës.
Nga aktet e administruara rezulton se nga ana e punonjësve të Policisë është kryer kontroll në një nga parcelat e kultivuara me bimë narkotike nga pjesëtarët e grupit të strukturuar, Taulant Haxhiraj etj. Nga përgjimet telefonike ka rezultuar se bimët narkotike të prera nga ana e Policisë janë lënë të padëmtuara dhe pjesëtarët e këtij grupi kriminal e kanë marrë lëndën narkotike pasi është prerë nga forcat e Policisë.
Gjithashtu, nga këqyrja e të dhënave të aparatit të telefonit të sekuestruar shtetasit Taulant Haxhiraj, rezulton se ai bisedon me anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar duke shkruar për faktin se çdo gjë bëhet “Me shtet”. Pra, ky aktivitet kriminal bëhej me dijeninë e Policisë së Shtetit. Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, duke qenë se hetimet ishin të plota për disa nga anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, është vendosur ndarja e procedimit penal në procedimin penal nr.134/1 në ngarkim të të pandehurve:
Shkëlqim Koçiaj, Xhovalin Baço, Marjus Bajrami, Reshat Radhima, Taulant Haxhirat, Klajdis Imeri etj., i cili është dërguar për gjykim dhe në procedimin penal nr.134 për hetimet e mëtejshme për bashkëpunëtorët e tjerë të grupit të strukturuar kriminal gjatë aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike. Mbi bazën e referimit të materialit hetimor nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku rezultonin të dhëna për përfshirjen në aktivitet kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike të shtetasve: Nezar Seiti, Moisi Habilaj, Florian Habilaj dhe Matan Matani, Prokuroria e Krimeve të Rënda më datë 29.04.2017, ka regjistruar procedimin penal nr.164 për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal.
Duke qenë se rezultuan të dhëna për të njëjtat subjekte të përfshirë në episodet e trafikimit të lëndëve narkotike, objekt hetimi të këtyre dy procedimeve penalë, për të pandehurit Nezar Seiti, Moisi Habilaj, Florian Habilaj, më datë 25.09.2017, bazuar në nenin 79 germa “b” të Kodit të Procedurës Penale, është vendosur bashkimi i procedimeve penale nr.134 të vitit 2016 dhe nr.164 të vitit 2017 në një procedim të vetëm me nr.134 të vitit 2016. Më datë 17.10.2017, në bazë të të dhënave të bëra publike, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedimin penal ne.313 të vitit 2017, për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Nga aktet e administruara në këtë procedim penal ka rezultuar se nga autoritetet italiane të drejtësisë janë arrestuar të pandehurit Moisi Habilaj, Meridian Sulaj, Fatmir Minaj dhe disa persona të tjerë, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të trafikimit të narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal. Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë në funksion të hetimeve që autoritetet italiane po zhvillonin në lidhje me faktin e sekuestrimit të sasisë së lëndës narkotike të llojit kanabis sativa prej 3.5 tonë, në Katania, Itali.
Nga hetimet rezulton se për realizimin e trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin të pandehurit: Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Nezar Seiti, Meridian Sulaj, Armando Sulaj, Sabaudin Çelaj, Fatmir Minaj, Tigrens Mezuraj dhe disa persona të tjerë, të cilët kanë vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë trafikimin e saj nga Shqipëria në Itali. Për ushtrimin e aktivitetit kriminal të tyre, në fillim të kultivimit të bimëve narkotike dhe më pas të trafikimit të saj, i pandehuri Moisi Habilaj dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal janë mbështetur nga punonjës Policie dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, ku dyshohet edhe ish-ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri, të cilët kanë ndikuar në mbështetjen për moszbulimin e tyre gjatë kohës që ata kanë ushtruar aktivitetin kriminal të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të Italisë.
Duke qenë se ishin të dyshuar të njëjtët subjekte për episodet e trafikimit të lëndëve narkotike, që janë objekt hetimi të këtyre dy procedimeve penale nr.134 të vitit 2016 dhe nr.313 të vitit 2017, më datë 18.10.2017 është vendosur bashkimi i këtyre dy procedimeve penale në një procedim të vetëm, me numër 134 të vitit 2016. Nga hetimet rezulton se të pandehurit Florian Habilaj, Moisi Habilaj dhe anëtarë të tjerë të këtij grupi kriminal, për ushtrimin e veprimtarisë kriminale kanë bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, shtetasit Jaeld Çela, ishdrejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Gjergj Kohila, ish-shef sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Sokol Bode, ish-shef i Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, si dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Pjesëtarët e këtij grupi kriminal, duke përfituar nga lidhjet e ngushta me punonjësit e Policisë, si dhe ish-ministrin e Brendshëm, kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike dhe më pas trafikimin e tyre në Itali, duke vepruar si grup i strukturuar kriminal. Nisur nga rrethanat e përshkruara më sipër, provohet se i pandehuri Nezar Seiti ka konsumuar elementë të veprave penale, për të cilat akuzohet.