Është jetike që njerëzit të marrin dozat e tyre përforcuese “jetëshpëtuese” për të siguruar mbrojtje gjatë dimrit, sipas kryeministrit britanik Boris Johnson. Deri më tani, më shumë se 10 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë bërë një dozë përforcuese, për të cilën kryeministri tha se ishte e mahnitshme. Por, sipas shifrave të qeverisë, rreth 30% e moshës mbi 80 dhe 40% e mbi 50-ave në Angli nuk e kanë bërë ende këtë. Sekretari i Shëndetësisë tha që njerëzit duhet të marrin injektimet e tyre përforcuese për të shmangur kufizimet gjatë Krishtlindjeve.
Anglia po përgatitet të ftojë tre milionë njerëz të tjerë për të marrë dozat e tyre përforcuese javën e ardhshme. Rreth 409,663 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar morën dozën e tretë të vaksinës të shtunën, tregojnë shifrat zyrtare. Dozat përforcuese janë të disponueshme në Mbretërinë e Bashkuar për të gjithë grupet e moshës 50 vjeç e lart, punonjës të linjës së parë shëndetësore dhe të kujdesit social dhe mbi 16 vjeç me disa kushte shëndetësore. Ata mund ta marrin atë gjashtë muaj pas dozës së dytë.
Dr Susan Hopkins, këshilltare kryesore mjekësore për Agjencinë e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, tha se virusi po qarkullon në nivele shumë të larta në komunitetin tonë, kështu që nëse njerëzit nuk vaksinohen, do të kemi një kohë të gjatë dhe të vështirë këtë dimër.
“Ne jemi ende duke parë vdekje kryesisht në popullatën e pavaksinuar, por gjithnjë e më shumë, për shkak të efekteve të dobësimit të imunitetit, ka vdekje edhe në grupin e vaksinuar. Janë veçanërisht grupmoshat më të vjetra, pra mbi 70-at në veçanti, por edhe ata që janë klinikisht të prekshëm, jashtëzakonisht të prekshëm dhe kanë kushte themelore mjekësore. Kjo është arsyeja pse ata njerëz duhet të paraqiten për dozën e tretë sa më shpejt të jetë e mundur,” tha ajo.
Ekspertët thonë se edhe rëniet e vogla të imunitetit midis njerëzve në rrezik do të ndikojnë në aftësinë e institucioneve shëndetësore britanike për të përballuar këtë dimër, pasi ka të ngjarë të çojë në shumë më tepër njerëz që kanë nevojë për trajtim spitalor. Të mërkurën, zëvendës shefi mjekësor i Anglisë, Prof Jonathan Van-Tam paralajmëroi se mund të ishte një dimër i vështirë përpara dhe u kërkoi njerëzve të merrnin përforcuesit e tyre. Dhe javën e kaluar qeveria e Uellsit paralajmëroi për një rikthim të mundshëm të disa kufizimeve Covid për të lejuar një Krishtlindje “normale”.