Në lidhje me kërkesën publike të kryetares në detyrë të Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi për bashkëpunim në gjurmimin e rasteve dhe kryerjen e testeve, dërguar një javë më parë, drejtori rajonal i Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, Mjeku Astrit Beci tha se është i gatshëm të bashkëpunoj me pushtetin vendor, por në rastin e gjurmimit merret njësia speciale.
Ai jep lajmin e mirë se situata në Shkodër është drejt përmirësimit, ku tre vatra janë mbyllur dhe është drejt përfundimit situata në lagjen Dobraç. Konkretisht Beci tha se janë mbyllur vatrat e Kirasit, Vau i Dejës dhe Draçinit.
“Vatra e Kirasit, Vau i Dejës dhe Draçini është mbyllur si situatë, ndërsa edhe në lagjen Dobraç situata është drejt përfundimit. Ekipi mjekësor është shprehur qartë për vdekjen e dy pacientëve dhe asaj është versioni që duhet të besojmë. Si vdekje në Shkodër me COVID kemi vetëm një rast. Numri i tamponëve të bëra në Shkodër është 600 deri në këto çaste. Numri i të infektuarve sot është 99 dhe urojë që ta kalojmë sa më lehtë situatën dhe me sa më pak komplikacione”, tha Beci për Report Tv.
Për kërkesën e Ademit Beci tha se “Çdo bashkëpunim me pushtetin lokal vendor është i mirëpritur dhe ne nuk kemi refuzuar asnjëherë një të tillë. Nëse bashkia dëshiron të bashkëpunoj ne jemi të gatshëm që të koordinojmë procesin. Për sa i përket gjurmimit të rasteve është detyre specifike e njësive të specializuara.”
