Pas prezantimit të djeshëm nga kryeministri Edi Rama, sot ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi me anë të një ceremonie të posaçme, i dorëzoi Muhamet Rrumbullakut postin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.
Drejtori i ri i Policisë, në fjalën e tij, tha se ndihet i nderuar për këtë vlerësim, por që e vë përpara sfidave të forta. Sipas Rrumbullakut, Policia ka nevojë për një frymë të re që e sjellë vetëm gjenerata e re harmonizuar me kontributin e policëve të karrierës. “Policia ka të gjithë kapacitetet për të garantuar shtetin e së drejtës, mjafton që këto kapacitete të promovohen sipas parimit të shanseve të barabarta dhe meritokraci”.
Po ashtu Rrumbullaku vendosi objektivat e gjatë drejtimit të tij, ku evidentohen një reformë ligjore dhe arsimore në të gjitha strukturat, riorganizimi i strukturave për të rritur kapacitetin e hetimit, analizë e të gjitha strukturave për korrupsionin e efektivave dhe hetimi mbi dekonspirimin e operacioneve policore, si dhe rritja e aftësive kundër krimit kibernetik, tema e nxehtë e javëve të fundit.