Drejtori sportiv i Korabit Femi Mëziu shprehet se skuadra dibrane është ndihmuar maksimalisht nga bashkia dhe veçanërisht nga kryebashkiaku Dionis Imeraj, por shton se kampionati po has vështirësi, sidomos për shkak të padrejtësive që bëjnë xhaketat e zeza.
Duke folur për humbjen e fundit në transfertë me Dinamon, drejtori Mëziu shprehet se: “Ishte një ndeshje që foli shumë për Korabin. Kjo, nisur nga statistikat e lojës dhe rastet e shumta në favor të ekipit tonë. Dinamo nuk mund të ngjitet në Superiore me 6 penallti në 8 ndeshje, të dhëna këto nga arbitrat tendenciozë që ndryshojnë komplet ritmin e lojës me dallaveret dhe aleancat që bën Barushi. Ndaj, gjej rastin që t’u bëj thirrje organeve kompetente të federatës që ta shohin me kujdes vijimësinë e kampionatit. Nuk mund të tallet një apo disa individë me djersën e djemve apo me komunitetin dibran.”
Zyrtari i Klubit të Korabit thonë se në vijim skuadra do të vijë duke u përmirësuar, do të sigurojë lojtarë të rinj në merkaton e dimrit dhe buxheti do të rritet, duke tentuar ngjitjen e skuadrës në Superiore. / tirananews.al