Eksperti i ekonomisë Dritan Shano, thotë se nuk e sheh të çuditshëm vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila njohu ndryshimet e bëra në statutin e Partisë Demokratike, në Kuvendin e 11 dhjetorit, të Komisionit të Rithemelimit.
Shano deklaroi pas çdo mbledhje të institucioneve politike, vendimet regjistrohen në gjykatë.
“Në përgjithësi vendimet e partive në Shqipëri, përfshi dhe PD regjistrohen në gjykatë. Bëre Kuvendin, do depozitosh vendimet dhe aktet në gjykatë. Koha që ndan mbledhjet e Bashës në verë dhe që legjitimonin vendimet e marra ditën e sotme, është e mjaftueshme për të bërë dallime. Në gjykatë janë marrë vendime kur PD ishte e pandarë, e pakonfliktuar, të marra para datës 9 shtator. Kur Basha vendosi të lante duart me Berishën, kemi teatrin e madh që po ndodh prej shtatorit deri më tani. Beteja e madhe mes Berishës dhe Bashës u shoqërua me mbledhjen e firmave të Kuvendit Kombëtar, për tu bërë në stadium”, u shpreh Shano.
Në vijim shtoi se Kuvendi i 11 dhjetorit, është mbledhur me emrat e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, të emëruar nga Lulzim Basha, për të cilin tha se ka qenë dhe vetë i pranishëm në stadium.
Shano tha se ka votuar një nen pro dhe tre kundra dhe ai për të cilin ka votuar, ka qenë për kufizimin e mandatit të kryetarit. Sipas tij, në momentin që gjykata është shprehur për Lulzim Bashën, ka qenë një situatë kur PD nuk kishte konflikt, por se me vendimin e sotëm situata ka ndryshuar.
Ai shtoi se modeli i të bërit politikë të Sali Berishës, e ka shqetësuar gjithmonë, por se nuk ndikohet nëse ikën Basha dhe vjen Berisha.
“Luli është produkt i Berishës, është model i Berishës, deri në 9 shtator Luli ishte protektor i Berishës. PD është parti private që prej gushtit 1992. Demokratët po e heqin fatkeqësinë në kurriz, se është në opozitë. Një parti e cila qëmton të vijë në pushtet, kryetarin e saj, elitën e saj duhet ta duan shqiptarët. Nëse shqiptarët nuk e duan, nuk i duhet Partisë Demokratike. Dua që PD si alternativa qeverisëse të jetë e papërlyer. Berisha dhe Basha nuk më thonë asgjë. Nuk mendoj se qelqet e thyera të kësaj kohe do mund të kthehen bashkë. Akti i Bashës nuk ishte dorëheqje, por marrje pushim për tu rikthyer sërish, ndoshta pas zgjedhjeve lokale”, tha Shano.
Sipas tij në parlament, janë të gjithë të emëruarit e Bashës, ndërsa për Berishën tha se kërkon të kënaqë egon e vetë.
Ai cilësoi si njeriun më të rëndësishëm në PD, Sali Berishën.