Me rikthimin e saj në skenën e Kosovës, Elvana Gjata dha intervistën e saj të parë për “Klan Kosova” pas ngjarjes në Bllok. “Mezi po pres të këndoj për të gjithë ju, të përqafohem dhe një herë me publikun dhe të jap shpirtin tim”, u shpreh ajo jo pak e emocionuar, pasi, sipas saj, emocionet për një artist vetëm shtohen me kalimin e viteve. Në atë intervistë ajo foli dhe për filmin komik “Dy gisht mjaltë” me Ermal Mamaqin, ku u shpreh se për herë të parë do të ketë mundësi të shfaqë anën e saj si “karagjoze” nëpërmjet aktrimit, duke qenë se ajo ka mbaruar studimet e larta për regji.
Duke mos përmendur datë për premirën (pas shtyrjes më 14 shkurt), Elvana e komentoi si një film shumë të bukur me momente nga realiteti i një çifti në ditët e sotme. Ndërsa fillimisht publikimi i tij më 14 shkurt u shty, tashmë një burim për “Iconstyle.al” pohoi se filmi ka gjasa të mos transmetohet kurrë. Dhe kjo lidhet me skenat e tij. Pavarësisht se dy protagonistët kanë ndarë shumë pak detaje prej tij, i njëjti burim konfirmoi tematikën e filmit, në të cilën përfshihen edhe afera droge, shkruan Panorama Plus.
Sipas të njëjtit burim, Ermali në film quhet Ervin, i cili në fakt është dhe emri i partnerit të Elvana Gjatës, që është i përfshirë në tragjedinë e ndodhur më 4 tetor të 2018- s në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë një person. Gjithashtu në një pjesë të filmit, Elvana mësohet se aksidentalisht ndodhet në një makinë ku kishte drogë dhe pasi pikaset, arrestohet nga Policia. Si për ironi të fatit, ky skenar i paraprin problemeve të partnerit të saj Ervin Mata, ku shkak për mosmarrëveshjen e 4 tetorit të vitit të kaluar dyshohet se ishte një sasi e konsiderueshme kokaine. Dhe këto detaje mendohet se janë të mjaftueshme që të anulohet publikimi i filmit “Dy gisht mjaltë”.
