Skuadrat shqiptare po fitojnë gjithmonë e më shumë konfidencë me kompeticioent europiane, pasi edhe këtë herë të tre ekipet pjesëmarrëse në Conference League, Vllaznia, Partizani e Laçi, siguruan kalimin për në turin tjetër, ku do t’u shtohet edhe Teuta e eliminuar nga Liga e Kampionëve.
Veçanërisht të bujshme ishin kualifikimet e Laçit e sidomos Vllaznisë, të cilat kishin humbur ndeshjet e para në transfertë, por ia dolën të përmbysin gjithçka mbrëmjen e djeshme, ndërsa vetë kreu i FSHF-së, Armand Duka uroi klubet për përfaqësimin dinjitoz.
“Urime Vllaznia, urime Partizani, urime Laçi!
Të dashur miq, dua t’u shpreh urimet më të mira 3 skuadrave tona, që na dhuruan një natë magjike dhe kualifikime plotësisht të merituara me gola, spektakël dhe emocione të mëdha.
Këto suksese janë meritë e një pune të mirë nga stafet teknike, lojtarët dhe drejtuesit e klubeve, të cilëve dëshiroj t’ju përcjell përgëzimet e mia më të sinqerta.
Turi i dytë i UEFA Europa Conference League rezervon rivalë të fortë, por jo të pakalueshëm. Me besim dhe impenjim maksimal gjithçka është e arritshme ndaj çdo kundërshtari”, shkroi Duka në rrjetet sociale.
