Dy javë sherr mes Juventusit dhe Interit mbyllen me një rezultat për pakundërshtueshëm: zikaltërve u duhet ende kohë që të ngjiten në nivelin e bardhezinjve. Juventusi ka fituar 2-0 ndeshjen e shtyrë mes polemikash prej dy javësh dhe ka bërë një hap shumë konkret drejt titullit kampion duke nxjerrë thuajse jashtë loje Interin e Kontes.
Në një atmosferë shumë të çuditshme, me tribunat e boshatisura, ritmin e ndeshjes e ka bërë thuajse gjithmonë Juventusi duke u treguar me i qartë në lojën e vet e duke kërkuar vazhdimisht golin.
Për ta gjetur atë u desh të pritej pjesa e dytë, kur Ramsei përfitoi nga një pakujdesi në qendrën e mbrojtjes së zikaltërve për të dërguar topin në rrjetë. Reagimi i Interit mungoi dhe bardhezinjtë i vunë vulën sfidës me një kryevepër të Dibala në minutën e 67. Ata krijuan edhe raste të tjera, por nuk ia dolën më të mposhtnin Handanoviç, edhe pse Ronaldo provoi në të gjitha mënyrat të shënonte deri në sekondat e fundit.
Me këtë fitore Juventusi shkon në kuotën e 63 pikëve dhe kapërcen Lacion, ndërsa Interi ndalet në 54 dhe tashmë duket pa shanse për të qenë protagoniste në luftën për titull, sidomos pasi është mundur nga të dy rivalët direkt.