227 568 abonentë përfitojnë nga masa lehtësuese e qeverisë për të falur kamatëvonesat për konsumatorët e energjisë elektrike. Nga këto përfitues 205,228 janë familjarë dhe 22,340 konsumator biznes. Shuma totale e falur e kamatëvonesave arrin në 15,8 miliard lek ose mbi 135 milion USD.
OSHEE njofton se janë ndarë në dy kategori përfituesit, ku në kategorinë e parë bëjnë pjesë 90 mijë e 194 abonentë, prej të cilëve 88 mijë e 518 janë familjarë dhe pjesa tjetër subjekte biznesi, që aktualisht kanë një aktmarrëveshje me OSHEE për shlyerjen me këste të borxheve të akumuluara, krahas pagesës së faturës mujore. Këta konsumator do të përfitojnë reduktim të kamatës që paguajnë me këste mujore. “Klientët familjar të cilët paguanin aktualisht sipas aktmarrëveshjeve përkatëse këste mujore 2500, 2800 apo 4200 lekë/muaj do të përfitojnë nga falja e kamatës duke paguar tashmë këste të reduktuara në vlerën 2000 lekë/muaj”, thuhet në njoftimin e OSHEE.
Ndërsa familjet në nevojë, pensionistët dhe të papunët që që paguanin aktualisht sipas aktmarrëveshjeve këste prej 1200 ose 1800 lekë në muaj, por me këtë vendim do të paguajnë vetëm 1000 lekë në muaj.
Ndërsa kategoria e dytë janë ata debitorë që nuk kanë të nënshkruar një aktmarrëveshje të nënshkruar me OSHEE për të shlyer detyrimin. Në këtë kategori bëjnë pjesë 137 mijë e 374 abonentë, që do ju falet kamatëvonesa e krijuar deri më 31 Dhjetor 2019.
Për të përfituar faljen e kësaj vlere të kamatës, brenda datës 30 Qershor 2020 (nëse nuk ka reduktime të mëtejshme të orareve të qarkullimit), ata duhet të lidhin një aktmarrëveshje me kompaninë dhe të dakordësohen për të paguar me këste vetëm principalin e akumuluar deri në fund të vitit 2019. Shuma totale e pritshme për tu falur për këtë kategori konsumatorësh arrin në mbi 89 milion USD.
