Sërish tensione janë shënuar këtë të hënë në veri të Kosovës, kryesisht në Zveçan dhe Zubin Potok, ku qindra serbë janë mbledhur pranë godinave të komunës për të mos lejuar kryetarët e sapozgjedhur të shkojnë në punë.
Dy kushtet kryesore që kanë dhënë protestuesit, në mënyrë që ata të largohen nga aty janë: largimi i policisë së Kosovës nga veriu dhe dhënia e dorëheqjes së kryetarit të sapo zgjedhur të Komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit.
Qindra policë janë angazhuar për mbarëvajtjen e sigurisë, teksa është vënë re dhe prania e trupave dhe mjeteve të blinduara të KFOR. Sipas mediave kosovare, në godinën e komunës në Zveçan, policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e njerëzve.
