Nga Gjergj Meta- Do t’i bënim një padrejtësi shoqërisë sonë sikur t’i vishnim asaj gjithë dhe vetëm negativitetin që shohim përreth. Të kesh një vështrim pozitiv dhe me shpresë për shoqërinë ka shumë rëndësi, sepse ndikon në motivimin e individëve dhe grupeve për të punuar më shumë. Evidentimi megjithatë, duke u nisur nga premisa apo këndvështrime të ndryshme, i disa problematikave të evidentuara në shumë raste, që po kalon vendi ynë, duhet të shërbejë për një përmirësim të jetës shoqërore dhe zhvillimin e saj.
Për hir të së vërtetës edhe shoqëritë europiane po kalojnë në një fazë zgripi, nëse mund ta themi kështu. Ëndrra europiane duket sikur është tronditur në themelet e saj. Jo vetëm Brexit, por edhe rizgjimi i populizmave ksenofobë të ekstremit të djathtë, anarkizmi i jelekëve të verdhë francezë, çështja ballkanike me rrezikun e ndryshimit të kufijve që do të sillte një efekt domino në këtë hapësirë problematike, kanë bërë që një lloj pështjellimi të ndjehet thekshëm edhe në ndërgjegjet e shoqërive të kontinentit të vjetër. Në fakt ky është rezultati i një Europe që u largua gjithnjë e më shumë nga ëndrra e saj idealiste, do të thoja edhe nga rrënjët e saj shpirtërore të krishtera, duke u dhënë më shumë pushtet eurokratëve dhe burokratëve ekonomikë, se sa vlerave që përbënin shoqërinë europiane. Mos të harrojmë asnjëherë se ëndrra europiane lindi si dëshirë për të mos përsëritur më kurrë luftën, si një mundësi që popujt evropianë të jetonin në paqe dhe jo në konflikt, si të barabartë dhe jo me idenë e racës së pastër.
Por, pavarësisht këtyre problemeve, shtetet europiane kanë zgjidhur shumë nga problemet që ne si shoqëri, në ecje drejt europianizimit, ende i kemi të pazgjidhura dhe në thelb këto janë problemet që ne na mbajnë larg nga çdo lloj standardi europian. Ndër shumë probleme, që pengojnë shoqërinë shqiptare në rrugën e saj europiane, më urgjentet më duken dy prej tyre që na rrinë mbi krye si shpata e Demokleut.
Së pari, mungesa e zgjedhjeve të lira dhe pa probleme. Në vendin tonë mungon, qoftë një vullnet për zgjedhje të lira e qoftë një kulturë e zgjedhjeve të lira, ose më mirë një kulturë e votimit.
E para ka të bëjë me mungesën e vullnetit politik për zgjedhje të lira nga ana e atyre që na udhëheqin. Po të rrish nëpër kafe me partiakë të ndryshëm, qëllimin kryesor e kanë se si do t’u mbushin mendjen njerëzve për të fituar zgjedhjet dhe jo se si do të punojnë që të shërbejnë më mirë për të ardhmen e vendit. Partitë bëjnë strategji fitimi të zgjedhjeve, por jo strategji zhvillimi të shoqërisë. Kur qëllimi i punës është fitimi i zgjedhjeve të partisë, do të thotë zhvleftësim i politikës, madje kjo është sjellja më antipolitike e mundshme. Zgjedhjet janë një mekanizëm dhe jo një qëllim në vetvete. Qëllimi i një demokracie është mirëqenia e njeriut dhe ky i fundit është në qendër të saj e të veprimit politik.
E dyta, mungon një kulturë zgjedhjesh. Do të shohim në këto muaj se si punonjësit partiakë dhe kandidatët do të shpërndahen nëpër fshatra, lagje, familje, pas katër vjetësh që nuk kanë dalë asnjë ditë, dhe do të kërkojnë votën duke premtuar në fillim të fushatës zhvillim dhe në ditët e fundit të saj thasë me miell. Në përgjithësi, votuesit shqiptarë nuk janë mësuar dhe nuk e kanë të ngulitur në mendje se vota e tyre është pasuria më e madhe që kanë në dorë në demokraci për të marrë pjesë në zhvillimin e jetës së tyre. Shumë shqiptarë janë ende të kapur nga mendësia totalitare e votimit që do të thotë se vota nuk ka asnjë vlerë për ndryshimin e situatës së përgjithshme, ashtu sikurse votimet në kohën e komunizmit që nuk sillnin asnjë ndryshim. Por ama janë aq “të zgjuar” sa të kuptojnë se kjo votë tani mund të shitet ose të shpërdorohet. Sa punë e madhe duhet që njerëzit të binden se vota, qoftë edhe një votë, mund të sjellë ndryshim të shoqërisë. Të votosh është një tregues i rëndësishëm i kulturës dhe mendësisë demokratike. Këto dy elemente prishin çdo lloj votimi në Shqipëri dhe politika partiake nuk ka ndërmend t’i ndryshojë, sepse përfiton prej tyre. Me keqardhje e them se do të jemi dëshmitarë përsëri të shitblerjes së votës apo të shpërdorimit të saj, qoftë edhe për një thes miell. Në shoqëri të varfra si ajo e jona, e sidomos në zonat rurale e malore, rreziku është shumë i madh.
Një problem i dytë që shoqëria jonë nuk ka zgjidhur është lidhja e pushtetit me krimin. Prokurori amerikan, Gjon Juncaj, në një prononcim, tha para disa ditësh: “Unë mendoj se problemi kryesor është se në Shqipëri ka shumë njerëz të fuqishëm të cilët kanë mënyra të ndryshme se si të ushtrojnë trysni mbi prokurorët”. Mutatis mutandis, këtë shprehje të prokurorit amerikan me origjinë shqiptare mund ta themi jo vetëm për prokurorë, por për të gjitha hallkat e pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ. Ndikimi i njerëzve të fuqishëm në rrjedhën e drejtësisë, të vendimeve qeveritare, në dhënien e tenderave publikë në nivel qendror dhe lokal, e deri në bërjen e ligjeve, në Shqipëri nuk është një risi apo diçka që nuk dihet. Shpesh këta njerëz të fuqishëm janë edhe me background të paqartë burimi ekonomik deri edhe kriminal. Vettingu në Shqipëri është një instrument i mirë, por i pafuqishëm dhe i pamjaftueshëm sa duhet për ndryshimin e situatës. Krimi dhe interesat e ngushtë do të përpiqen gjithmonë të ndikojnë pushtetin dhe pushtetet. Dhe për krimin nuk ka një vetting. Do të blejnë pushtet politik dhe pushtet mediatik për interesat e tyre. Kështu do të blejnë edhe konkurrencën duke krijuar monopole e duke vrarë garën e lirë në çdo hallkë të vendit dhe të shoqërisë. Ja pse disa, dhe shumë pak, jetojnë në luks e pjesa më e madhe janë të dënuar me mbijetesë. Ja pse, ata të dënuar me mbijetesë pastaj ikin dhe janë shumica.
Evidentimi dhe puna rreth këtyre dy problemeve më duket diçka urgjente në ndërgjegjen e popullit tonë. Ndryshimi i këtyre mendësive do ta afronte Shqipërinë me modelin europian, ndërsa status quo-ja e len Shqipërinë në zgrip të ekzistencës, duke e anuar më shumë nga vende si Turqia apo vende të tjera aziatike e ballkanike që janë peng i vullneteve personale apo klanore.
Nëse punohet seriozisht rreth këtyre dy problemeve, nga dy shpata që rrinë mbi kryet e demokracisë, mund të kthehen në dy kolona të funksionimit të demokracisë. Unë besoj akoma se diçka mund të ndryshojë, por duhet të gjithë së bashku të punojmë shumë dhe me shpresë për vendin tonë.