Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja në Podkastin “Ju flet Kombinati”, kishte të ftuar dy të rinj. Kamelisa dhe Inisi, të rinj plot pasion e përkushtim, bashkëbiseduan për rrugëtimin e tyre. Gonxhja i përgëzoi për iniciativën që janë angazhuar edhe në politikë si drejtues të Asamblesë Rinore të PS-së.
Kamelisa tregoi se është futur në FRESH që në moshën 16-vjeçare me dëshirën për të kontribuar për Kombinatin. ”Ka qenë një pikënisje shumë e mirë dhe është pika ku do të kthehem edhe politikisht edhe si aktiviste”, tha ajo.
Sipas saj, angazhimi rinor është mbështetur nga PS, duke sjellë vëmendjen e publikut tek të rinjtë. ”Ne në Kombinat njihemi shumë mirë me njëri tjetrin dhe kjo bërë që të bashkëpunojmë më shumë mes nesh. Rinia ka humbur besimin tek politika sepse është më e fokusuar tek puna. Të rinjtë po tregojnë një qasje ndryshe tek politika”, u shpreh Kamelisa.
Ministri Gonxhja, vuri në dukje se po hartohet ligji për rininë që do t’i japë më shumë frymëmarrje rolit dhe angazhimit të të rinjve në vendimmarrje dhe jetën sociale të vendit. ”Angazhimi në politikë nuk do të thotë të bësh një karrierë administrative, por rrugëtim që të kontribuosh për zhvillim. Tregon për një përkushtim tuajin në punët me komunitetin duke mos lënë pas dore atë që është kryesorja të jeni studentë shumë të mirë”, tha Gonxhja.