Një qytetar ka vendosur një send të dyshuar poshtë një automjeti në Pogradec mëngjesin e së dielës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Nr. 3, pranë Prokurorisë së qytetit. Burime bëjnë me dije se ka qenë roja i prokurorisë që ka lajmëruar policinë. Rreth orës 3:30 të mëngjesit ai ka vënë re një qytetar duke u shtrirë përtokë e duke vendosur diçka poshtë makinës.
Fillimisht është dyshuar për eksploziv dhe është sjellë nga Tirana grupi i shpërthimeve të kontrolluara, ndërsa pas kontrollit të xhenierëve ka rezultuar se nuk është tritol, por një aparat GPS.
Mjeti është në pronësi të Eris Çekani, i cili kohët e fundit ka pasur disa konflikte me persona të tjerë në Pogradec, ku më i fundit ishte një aksident kokë më kokë në Elbasan. Nga ana e policisë, janë sekuestruar të gjitha kamerat në zonë, për të bërë të mundur identifikimin e personit që ka vendosur GPS, e për të zbardhur më tej rrethanat.