Më në fund vjen ora e Keidi Bares në përfaqësuesen shqiptare të futbollit. Mesfushori po shkëlqen me fanellën e Malagas dhe për shumëkënd kjo ftesë është një vijimësi e asaj që po jep futbollisti në fushën e lojës me klubin e tij, ku është kthyer brenda një kohe të shkurtër një prej elementëve kryesorë.
Bare debutoi me përfaqësuesen A në miqësoren që Shqipëria luajti ndaj Norvegjisë në marsin e vitit 2018, por që atëherë, nuk u bë më pjesë e saj. Në fakt trajneri Panuçi provoi të thërriste lojtarin, por vonoi ftesën dhe Malaga nuk e la të lirë për ndeshjet që rezultuan të fundit për teknikun italian, Pasardhësi i tij, Edi Reja vendosi që grumbullimi i parë në qershor të ishte për “veteranët” ndaj emri i Bares u la jashtë.
Tani, Reja duket se nuk ka më asnjë dyshim se Bare e meriton një ftesë në radhët e përfaqësueses, meqë është ndër mesfushorët që po luan më rregullisht dhe ka filluar përgatitjet dhe aktivizimin para shumë të tjerëve. Ndaj mesfushorit i është dërguar ftesa për dy takimet e radhës, ndaj Francës dhe Islandës, duke marrë sigurisht një përgjigje pozitive nga ish-kapiteni i Shpresave që e priste me padurim e tani shpreson që kjo të jetë vetëm e para nga një seri e gjatë ftesash për të veshur fanellën kuqezi.