E ardhmja e Paulo Dibalës është vënë sërish në dyshim. Pavarësisht fjalëve të trajnerit Sarri, i cili në prezantim u shpreh se sulmuesi ishte në planet e tij si një nga lojtarët më të rëndësishëm, përsëri për argjentinasin nuk mungojnë ofertat, ndërsa nëse largohet atëherë mund të hapet rruga për një rikthim të mesfushorit Pogba.
Ndërkohë, Dibala për momentin është ende duke shijuar pushimet, teksa nuk është bashkuar me skuadrën pasi ishte pjesë e Argjentinës në Kupën e Amerikës. Por, duke parë zërat që qarkullojnë ,teksa së fundmi Totenhemi është e gatshme të ofrojë deri në 80 milionë paund, sulmuesi duket se do të shkurtojë pushimet dhe do të kthehet në Torino më datë 1 gusht dhe jo 5, për të sqaruar të ardhmen e tij.
Dibala preferon të qëndrojë te Juventusi, megjithatë duhet të komunikojë me Sarrin për të kuptuar më mirë idetë e trajnerit, i cili mund të vendosë ta aktivizojë këtë sezon edhe si një 9 false. Kështu, vendimi nëse Dibala do të mbetet apo jo bardhezi, do të zgjidhë edhe shumë dilema të Juventusit në merkato.