Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste, ministri Taulant Balla vijon turin me takime në Amerikë, ku u prit nga Kevin Coleman, kryetar i Bashkisë Westland, ku jetojnë afro 12 mijë bashkatdhetarë. ”Jemi këtu për diasporën tonë që jeton në Miçigan. Jemi shumë krenarë për nivelin e tyre të integrimit në shoqëri. Shteti i Miçiganit ka qenë një ndër shtetet më të dashura të shqiptarëve 100 vitet e fundit. Kam vizituar teqe, kisha, dhe sapo erdha nga takimi me Elon Musk-un shqiptar. Po takojmë shumë sipërmarrës të suksesshëm dhe përfundoj sot me një takim me diasporën shqiptare”,- tha Balla.
Kryebashkiaku i Westland, Kevin Coleman, nga ana e tij i tha Ballës se vlerëson bashkëpunimin dhe miqësinë mes shtetit të Miçiganit dhe Shqipërisë. ”Është shumë e rëndësishme për ne. Ka qenë gjithmonë një marrëdhënie e veçantë. Qyteti im i Westland është shtëpia e disa mijëra shqiptaro-amerikanëve, është një pjesë e bukur e kulturës sonë. Ata zotërojnë biznese gjithashtu, restorante, kompani. Marrëdhënia mes tyre dhe qeverisjes sonë këtu në këtë qytet ka qenë shumë e fortë”, u shpreh Coleman, i cili i tregoi Ballës edhe një rezolutë që përcaktonte datën 28 nëntor si Ditën e Trashëgimisë Shqiptare.
Në fund Balla dhe Coleman shkëmbyen dhuratat. Balla i dhuroi një peizazh të qytetit të Beratit duke i thënë se kur të vizitojë Shqipërinë do ta shoqërojnë edhe në atë qytet, ndërsa kryebashkiaku një kapelë me logon e qytetit dhe një filxhan me simbole kuqezi.