Ervin Karamuço ekspert i kriminalistikës, ka folur sot lidhur me terroristin rus Vladislav Poznajkov, i cili ka hyrë në Shqipëri në datën 4 shkurt. Ai madje është shpallur në kërkim nga autoritetet në Malin e Zi.
Ndër të tjera, bashkangjitur kësaj çështje, Karamuço bëri dhe një deklaratë të fortë, duke u shprehur se disa media dhe portale në Shqipëri sponsorizohen nga shërbime sekrete ruse dhe këtë e ka vërtetuar një raport nga qendra e NATO-s.
“Disa media dhe portale në Shqipëri janë vënë në një raport nga ana e qendrës së NATO-s në Gjermani. Edhe është përmendur herë pas here që disa portale sponsorizohen nga shërbime sekrete ruse. Patjetër, është përmendur në një raport kjo”, tha eksperti.
Shtetasi rus i cili rezulton i shpallur në kërkim nga autoritetet në Malin e Zi, ka hyrë në Shqipëri me një automjet me targa ruse, ndërkohë që ende nuk është gjetur nga autoritetet shqiptare. Gjithashtu, i riu në fjalë ka kërcënuar se do të kryente shpërthime me tritol në Budva.
Karamuço u shpreh se Poznajkov është pjesë e shërbimeve inteligjente ruse.
Sipas tij, i riu është në vazhdën që kanë agjenturat, të cilat duan të destabilizojnë Ballkanin dhe kanë shumë vite që e planifikojnë këtë.
