Vendimi i Ivan Balliut për t’u larguar nga skuadra e Metz me sa duket ka qenë ai i duhuri, edhe pse mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare e kishte mundësinë që të luante rregullisht në kampionatin francez në këtë edicion. Balliu është tashmë i lirë të zgjedhë destinacionin e tij dhe sipas mediave spanjolle, ofertat e rëndësishme nuk mungojnë.
Një ditë më parë u mësua se skuadra e Lens kishte bërë një tjetër tentativë për të kthyer lojtarin në Francë por ai kishte bërë të ditur se kishte oferta të tjera më të rëndësishme. Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, lojtari aktualisht ka luksin të zgjedhë mes Spanjës dhe Anglisë, pasi ka oferta nga të dy vendet, pa llogaritur këtu të kampionateve të tjera.
Ky burim shpjegonte se mes skuadrave të La Liga, Real Vajadolit, Leganes dhe Espanjol ishin interesuar konkretisht për futbollistin e kuqezinjve, por ai kishte një mundësi mjaft tunduese edhe në Angli. Atje, Uest Bromuiç Albion i Championship ishte vënë në kërkim të një mbrojtësi të djathtë dhe Balliun e tërhiqte ideja të provonte eksperiencën në këtë vend. Atje ai do të punonte nën urdhrat e një trajneri shumë të njohur si Slaven Bilivç.