Fedez bëhet pjesë e politikës? Pas ditësh që ka qëndruar në heshtje, më në fund sot këngëtari italian sqaroi të vërtetën në rrjetet sociale. Ai publikoi një video të një “fjalimi” elektoral, ku rendit arsyet pse zgjodhi të dilte në fushë dhe të mashtrojë vendin. Videoja ishte ironike dhe përgënjeshtronte çdo gjë të thënë në media. E gjitha ka qenë një lëvizje e mirëmenduar marketingu për të promovuar albumin e ri “Disumano”, që do të dalë në treg më 26 nëntor.
Por, si nisi e gjitha? Gjithçka nisi me regjistrimin e domenit “fedezelezioni2023.it” nga një kompani e drejtuar nga Fedez. Kjo lëvizje u komentua në emisionet televizive, gazeta e kudo në Itali, duke u marrë si një paralajmërim që Fedez do i bashkangjitej Salvinit në politikë vitin e ardhshëm.
Kjo u duk e besueshme për shumë njerëz. Pasi, vitet e fundit, çifti Ferragnez kanë mbajtur publikisht qëndrimet e tyre për çështje politike dhe aktuale, nga pandemia e deri te të drejtat civile, duke ndjekur fjalët me gjeste konkrete dhe donacione për kauza të rëndësishme.
Por, jo! Fedez nuk ka ndërmend të shkojë përtej kësaj. I veshur me kostum serioz, me thonjtë të lyer në ngjyrë të kuqe teksa mban në prehër një qen, Fedez do ishte padyshim politikani që nuk është parë asnjëherë në asnjë vend të botës. Në videon e publikuar prej tij, po ashtu shihet mbi tryezë një foto nudo e artistit që ka mbuluar vetëm pjesët intime me një shirit.
“Italia është vendi që dua. Këtu i kam rrënjët, shpresat, horizontet e mia”, fillon Fedez duke ‘vjedhur’ fjalët hyrëse nga fjalimi i bërë nga Cavaliere në 1994. I ulur në një zyrë që i ngjan stilit të atëhershëm, Fedez vazhdon parodinë e tij. “Këtu mësova pasionin për priftërinjtë që bëjnë tiktok. Zgjodha të futem në terren dhe të mashtroj për çështjet publike sepse nuk dua të jetoj në një vend të qytetëruar, të qeverisur nga forca të pjekura dhe njerëz të lidhur ngushtë me një të kaluar arritjesh, sindikata dhe të drejtash për të gjithë. Lëvizja politike që unë propozoj quhet, jo çuditërisht, Inhuman(emri i albumit). Ju them se është e mundur të realizojmë së bashku një makth të madh, atë të një Italie gjithnjë e më të padrejtë, indiferente ndaj atyre në nevojë dhe që luan rolin e shkurreve në shfaqjet e fundvitit të komunitetit europian. Unë ju them se mundemi, ju them se duhet të ndërtojmë së bashku një mrekulli të re italiane për ne dhe për fëmijët tanë”, përfundon Fedez.