Ambasadorja Yuri Kim ka folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Në një intervistë për emisionin “Open”, Kim ka zbuluar aktivitetet që do të zhvillohen në vendin tonë gjatë javës së ardhshme, nga data 15 deri në 22 maj.
Eni Vasili: Gjithnjë një moment interesant ai i politikës për të folur me ambasadoren amerikane, por unë dua ta filloj ndryshe. Unë dua t’ju pyes për 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Nuk dua të flas aq shumë për politikën e ditës, dua të flas sigurisht për diplomacinë, në mënyrë të veçantë. Siç po thoja, ky vit shënon 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Veç të tjerave, ky është edhe një rast për të bërë një bilanc të këtyre marrëdhënieve, apo jo?
Ambasadorja Kim: Mendoj se është e mrekullueshme të jem ambasadorja amerikane teksa mund të festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Siç e dini, vitin e kaluar, festuam 30 vjet që nga rivendosja e marrëdhënieve. Dhe nëse hedhim një vështrim tek 100 vitet si dhe tek 30 vitet, mendoj se të dy palët, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kemi arritur vërtet shumë. Mjafton të shohësh vetëm 30 vitet e fundit; kur bisedoj me miq që e njihnin Shqipërinë në vitin 1991 dhe iu përshkruaj se çfarë po bëjmë bashkë tani, në vitin 2022, e kanë të vështirë ta besojnë.
Do t’ju jap vetëm pak shembuj. Në vitin 1991, siç e dimë të gjithë, Shqipëria ishte një nga vendet më të varfra në botë dhe në ato 30 vjet, ndërsa Shqipëria u çlirua nga diktatura komuniste, mendoj se populli shqiptar e ka provuar veten se është qendrestar dhe kanë frymëzuar botën me vendosmërinë e tyre. Prandaj u shpreha kur arrita këtu që programi ynë këtu, agjenda jonë është që të përqendrohemi tek demokracia, mbrojtja dhe biznesi. Pra, jeni çliruar nga diktatura komuniste; institucionet e demokracisë dhe ligjit, sundimi i ligjit, janë instaluar dhe po punojmë për t’i forcuar sa më shumë mundemi.
Ju keni kaluar nga një vend i varur në një vend që është anëtar i NATO-s në 2009, një vend që është në pragun e Bashkimit European dhe, nga 1 janari i këtij viti, një vend që ulet në krah të Shteteve të Bashkuara, Kinës, Rusisë, Francës, Britanisë së Madhe, si anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ky është një kapërcim i madh. Dhe sigurisht çështja e dytë është mbrojtja. Dhe në 30 vjet, 100 vjet, kemi kaluar nga një diktaturë komuniste e mbyllur ndaj botës, tek Shqipëria që tani mirëpret forca të SHBA, duke filluar nga ky vit. Ndaj, ky është një ndryshim historik.
Më pas, së fundi, biznesi. Disa nga bizneset më të mëdha po vijnë në Shqipëri. Mund të flasim më vonë për këtë, por janë të përqendruar tek energjia tani dhe shoh edhe fusha të tjera që po hapen, përfshi teknologjinë. Kështu, kemi hidrocentralin e Skavicës, nuk është punë e mbyllur ende, por duket shumë mirë; kemi Vlorën, termocentralin që do të sjellë gaz të lëngshëm. Këto kanë implikime të stërmëdha për rolin e Shqipërisë në rajon, jo thjesht nga aftësia e Shqipërisë për të siguruar energji për veten, por edhe për kontributin e Shqipërisë në rajon si eksportuese neto e energjisë dhe sigurisë së energjisë.
Eni Vasili: Ndoshta më pas do të flasim edhe për emrat e bizneseve amerikane. Do të ishte shumë mirë nëse do t’i kishim, bizneseve që janë duke iu afruar Shqipërisë. Është gjithmonë një lajm shumë i mirë afrimi i komunitetit të biznesit nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë. Por, unë dua të flas pak edhe për Javën Amerikane, e cila fillon në datën 15 maj deri në datën 21 dhe do doja të dija se çfarë aktivitetesh janë parashikuar. Sigurisht i gjithë viti do të ishte një festë për të kremtuar 100-vjetorin e marrëdhënieve por Java Amerikane ka një fokus të veçantë.
Ambasadorja Kim: Po, do të kemi një numër aktivitetesh emocionuese. Do të kemi bandën e Forcës Ajrore të SHBA që vjen dhe kjo është shumë e bukur. Do të kemi një koncert të madh në Sheshin Skënderbej – mendoj të enjten, në mos gaboj. I gjithë informacioni do të jetë në faqen tonë të internetit por mendoj do të jetë të enjten në Tiranë dhe pastaj do të kemi një tjetër të shtunën në Shkodër, siç e dini një nga qytetet e mia të preferuara. Midis këtyre, do të kemi ushqim amerikan tek Pazari i Ri dhe disa filma amerikanë që do të shfaqen gjatë gjithë ditëve.
Eni Vasili: Dhe mund të kenë akses të gjithë besoj në këto aktivitete?
Ambasadorja Kim: Po, të gjitha aktivitetet janë falas dhe do ta bëjmë këtë së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe jemi shumë të emocionuar. Do të shkoj tek këto aktivitete vetë dhe shpresoj që do të mund të takoj sa më shumë qytetarë që të jetë e mundur.
Ambasadorja Kim ka treguar detaje edhe nga takimi qe ka zhvilluar disa dite me pare me ish-ambasadore amerikane te Shqiperise ne Uashington.
Eni Vasili: Zonja Kim, ju ishit në Uashington javën e kaluar. Mediat njoftuan për një takim me ish-ambasadorët amerikanë në Shqipëri, por në fakt unë dua t’ju pyes për agjendën tuaj zyrtare, nëse ka patur një të tillë gjatë takimit tuaj në Uashington.
Ambasadorja Kim: Siç e dini, kishim këtu Ndihmës Sekretaren e Shtetit Karen Donfried jo shumë kohë më parë dhe unë doja të ndiqja çështjet e atij udhëtimi. Kështu, shkova në Uashington, isha atje për rreth një javë, në takime me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë, Shtëpisë së Bardhë, USAID dhe agjenci të tjera të qeverisë. Dhe ja çfarë gjeta: njerëzit janë vërtet të emocionuar për sa shumë është rritur marrëdhënia SHBA-Shqipëri. Janë të emocionuar për të gjithë përparimin që kemi bërë në demokraci, mbrojtje dhe biznes siç ju thashë.
Dhe ajo që vërtetë tërhoqi vëmendjen e tyre ishte, jo thjesht përparimi që është bërë në reformën në drejtësi dhe përparimi i bërë për të siguruar një prani ushtarake amerikane këtu në Shqipëri. Ishin vërtet të emocionuar dhe përqendruar tek pjesa e energjisë. Siç e dini, Presidenti Biden e ka vendosur si prioritet që të injektojë 50 miliardë metra kub gaz në Europë, për t’i ndihmuar të bëhen të pavarur nga gazi rus dhe kur projekti i Vlorës – nëse ecën përpara dhe kur të jetë funksional – do të japë një kontribut domethënës në këto zhvillime.
Janë shumë të emocionuar për të gjithë përparimin që kemi bërë së bashku dhe partneritetin që kemi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Shqipëria ka qenë bashkë-penëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara për të gjitha çështjet e lidhura me Ukrainën. Është një rol udhëheqës me rëndësi dhe mendoj se Shqipëria e ka habitur botën me sa e efektshme dhe e fortë udhëheqësia e saj ka qenë. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që s’ka gjëra ku duhet përparim.