Një ditë pasi shtëpia e autorit u shkrumbua nga zjarri, policia e Fierit dyshon se ngjarja është e qëllimshme. Referuar burimeve pranë grupit hetimor zjarri mund të jetë vendosur nga ndonjë banor i zonës për të fshehur gjurmët e vrasjes së të miturit.
“Kjo ngjarje nuk mund të jetë e rastësishme dhe nuk është shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike, apo bombol gazi”, thonë burimet për ABC News.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se energjia elektrike aty është ndërprerë që pas arrestimit të 38-vjeçarit. Ndërsa në dhomën ku ai jetonte nuk kishte bombol gazi. Këto fakte, e kanë shtyrë policinë të dyshojnë se pas kësaj ngjarje mund të fshihet ndonjë banor i fshatit Grecalli të Fierit.
Hetuesit dyshojnë se me djegien e banesës së Klodian Çalamanit, autori është përpjekur të fshehë gjurmët dhe bashkëpunëtorët në vrasjen e Mateos. Pista e një bashkëpunëtori në vrasjen makabre të 8-vjeçarit po hetohet nga Policia dhe Prokuroria e Fierit, pas deklaratave të bëra nga familjarët e Mateos. Ata pretendojnë se i mituri mund të jetë vrarë nga Çalamani në mënyrë që të mos nxirrte ndonjë sekret apo diçka që Mateo mund të kishte parë.
