Në Bazën Ajrore të Farkës u çel Kursi Bazë i Oficerit në specialitetin Pilot Ushtarak Helikopteri, i cili do të ndiqet nga nëntogerë të përzgjedhur nga forca dhe reparte të ndryshme të Forcave të Armatosura.
Do të jenë 12 kadetë e mes tyre vetëm një vajzë, nëntogerja Armela Murati. Në një intervistë për Tirananews.al Armela thotë se dashurinë për uniformën ushtarake e ka të trashëguar nga babai i saj, i cili ka qenë pjesë e FA për 25 vite.
Armela nga lindi ky pasion i juaji për uniformën ushtarake, trashëgimi familjare apo një sfidë e juaja me veten?
Pasioni për uniformën ushtarake ka ardhur si trashëgimi familjare. Babai im është një ish-ushtarak, i cili i ka shërbyer Forcave të Armatosura për 25 vite. Që e vogël, më shtynte kurioziteti mbi uniformën që mbanin, stërvitjet që bënim. Mbaj mend që vishja uniformën, edhe pse më rrinte e madhe dhe imitoja babain.
Ka pasur nga njerëzit tuaj të afërm apo miq që kanë qenë kundër zgjedhjes suaj?
Duke qenë se që e vogël e kam pasur me shumë dëshirë të isha pjesë e Forcave të Armatosura, mund ta them me gjithë bindjen dhe jam shumë e lumtur për këtë fakt që mbështetja që kam pasur si nga familja, të afërmit apo dhe shoqëria kanë qenë suporti im më i madh.
Sot jeni nëntogere, ndërkohë që sjell në mendje që e vetmja femër gjenerale brigade në Shqipëri është Manushaqe Shehu e graduar në nëntor të 2016. Po synimet e Armelës cilat janë?
Tashmë që jam pjesë e Forcave të Armatosura padiskutim që edhe synimet e mia janë për të pasur arritje sa më të larta në karrierën ushtarake. Kjo edhe për faktin që im atë, edhe pse me një pasion të madh për uniformën ushtarake, por që për fakt të reformave të ndryshme në ushtri, nuk arriti që ta përmbushë deri në fund misionin e tij në ushtri. Prandaj më lind mua, fillimisht dëshira dhe pastaj plotësimi i dëshirës së babait tim, që të kem një karrierë në Forcat e Armatosura.
Të martën e kaluar në bazën ajrore të Farkës u çel për herë të parë dhe Kursi Bazë i Oficerit në specialitetin Pilot Ushtarak Helikopteri. Jo vetëm që jeni ndër 12 kadetët e parë të këtij kursi, por jeni dhe e vetmja vajzë për të cilën morët dhe përshëndetjen e veçantë të ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi. Pse kjo zgjedhje Armela duke u rikthyer sërish dhe në këtë rast pak a shumë në pyetjen e parë, një sfidë ndaj vetes apo hapësira një tjetër pasion i fshehur për ju?
Ashtu siç e thashë edhe më lart, uniforma ushtarake më ka tërhequr që e vogël. Babai i veshur me uniformë ushtarake ishte një idhull për mua, por sfidat janë pjesë e karakterit tim. Emërimi për herë të parë në Komandën e Forcës Ajrore, filloj të më shtyjë kureshtjen për ta njohur sa më shumë këtë fushë. Në momentin që doli lajmërimi për hapjen e kursit Pilot Ushtarak Helikopteri, pata një mbështetje dhe suport nga kolegët e punës të Forcave Ajrore që ta shikoja si mundësi, duke njohur dhe karakterin tim. Këtu mund të citoj dhe Komandantin e Repartit Ushtarak nr.3002 Rinas, reparti ku unë isha emëruar, Major Përparim Harizaj, i cili me tha që nëse vajza e tij do të ishte pjesë e Forcave të Armatosura, ai do t’ia sugjeronte me patjetër. Kjo mund të them që është një nga ato mundësitë që vjen një herë në jetë dhe fati e deshi që të isha unë e para femër, kandidate për pilote në Forcën Ajrore Shqiptare.
Pyetja e fundit, po perifrazoj përkufizimin për atdhetarin: Ai që e do atdheun e popullin e vet dhe që u shërben atyre me besnikëri.
Për mjekët kemi betimin e Hipokratit, ndërsa për ushtarakët është zotimi për mbrojtjen e atdheut. Në kohët e sotme a mund të themi se duhet të jesh atdhetar të bëhesh ushtarak, apo uniforma e ushtarakut të bën më shumë atdhetar?
Të jesh atdhetar nuk do të thotë me doemos të jesh pjesë e Forcave të Armatosura. Atdhetarizmi është një ndjenjë që çdo shqiptar e ka në gjak, të trashëguar brez pas brezi dhe do të vazhdojmë që ta trashëgojmë brez pas brezi. Por detyra e ushtarakut është të mbrojë Atdheun, duke sakrifikuar edhe jetën e tij./ A.B-tirananews.al