Vitet e fundit, divorci në Shqipëri është kthyer në një fenomen dominant. Të dhënat e INSTAT tregojnë se një në katër çifte në vendin tonë përfundojnë të ndarë pasi janë martuar. Nëse bëjmë një krahësim me vitin 1990, të dhënat thonë se atëhere ndaheshin 9 në 100 çifte, ndërsa në vitin 2020, në Shqipëri u ndanë 24 nga 100 çifte të martuar.
Problemet që mbart me vete divorci janë të shumta dhe të nayrave të nddryshme, por nga ana tjetër ka nuk mungojnë herë pas here edhe situata komike.
Një situatë gazmore ka ndodhur kohët e fundit edhe në zonën e Elbasanit. Pas divorcit me gruan, një i ri ka vendosur që të paktën të rikthejë në xhepin e vet një pjesë të shpenzimeve të dasmës, meqënëse nuk kthente dot gruan.
Çifti kishin lidhur kurorë në muajin nëntor, por martesa mes tyre nuk funksionoi kështu që ata vendosën të ndahen në muajin janar, vetëm 2 muaj më vonë. I mërzitur nga ky fat, i riu mendoi të rikuperonte paratë e shpenzuara për filmimin e dasmës dhe setin fotografik, pasi i gjykoi si të vetmet shpenzime të cilat mund t’i rikthente sepse lekët e harxhuara për ushqimin nuk i rikuperonte dot.
Kështu, dhëndri me origjinë nga një fshat i Elbasanit është paraqitur në studion e dasmave me kasetën në dorë, duke i deklaruar pronarit të studios se kishte ardhur që t’ia kthente atë mbrapsht për shkak se martesa kishte dështuar. Ndërkohë, ai kërkonte nga kameramani që ai t’i jepte paratë të cilat i kishte marrë në këmbim të punës.
Kameramani fillimisht hezitoi për t’u përgjigjur pasi nuk ishte gjendur ndonjëherë në një situatë të tillë krejt të pazakontë, por më pas i tha që paratë nuk mundej kurrësesi që t’ia kthente mbrapsht pasi puna ishte bërë dhe ai nuk kishte asnjë përgjegjësi për prishjen e raportit mes çiftit në fjalë.
