Majlinda Bregu shfaqet në Kuvendin e Shqipërisë në kushtet kur partia në të cilën ndërtoi karrierën, është më e përçarë e më kaotike se kurrë. Ajo rikthehet si e ftuar në Këshillin e Integrimit si drejtuese e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, por në nisje i përgjigjet interesimit të ABC News se çfarë ndjesie ka sot për situatë në PD. “Nuk e di nëse jam e habitur, jam e tronditur apo jam e përgatitur? Unë do të them se isha e përgatitur, sepse të paktën në momentin ku jam larguar unë nga PD, fatkeqësisht leximi se çfarë do të vinte më pas ishte shumë i qartë dhe ju e mbani mend shumë mirë. Kemi qenë bashkë në atë kohë, që frika më e madhe ishte se partia do të kalonte në proces vetëshkatërrimi. Gjë që ka ndodhur sot, kështuqë, një ditë, që mali sapo mbarset “pjell një mi” apo në ditën tjetër duket sikur ka një ngjyrim më të madh, në fund të ditës, rezultati fatkeqësisht është ky që shihni të gjithë.”, tha ajo.
Pranon se parashikimi i saj nuk ka shkuar deri aty sa të mendonte që Partia që solli pluralizmin në vend, do të arrinte në ditën që të regjistronte vetëm 11 kandidatë për 14 majin.
“Deri diku besoja se ajo le të themi, ose ai shembull i ke i dhënë, kur Lulzim Basha mori një parti dhuratë dhe nuk diti të menaxhonte, përveçse e shkatërroi dhe nuk diti ta menaxhonte, do ndalej me të, por partia dhuratë e Lulzim Bashës i shkoi Enkelejd Alibeajt dhe ja ku jemi”, tha Bregu.
Ish-ministrja e integrimit, nuk mban anë në debatin mes dy kampeve, por sheh një dritë në fund të tunelit, edhe pse rruga drejt ripërtëritjes është e dhimbshme.
