Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë sjellë problematika në disa zona të qytetit të Lezhës.
Siç raporton gazetari i Klan News, Martin Marku, më problematike paraqitet situata në lagjen “Besëlidhja”, si edhe në disa hyrje shkollash, ku niveli i ujit ka arritur disa centimetra, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve.
Grumbullimi i ujit është pasojë e reshjeve intensive, ndërkohë që nuk raportohen dëme. Megjithatë, situata ka krijuar shqetësime për banorët dhe prindërit e nxënësve.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se kjo problematikë pritet të marrë zgjidhje përfundimtare me përmbylljen e projektit të rehabilitimit të rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, i cili po zbatohet prej disa muajsh në qytetin e Lezhës dhe synon përmirësimin e menaxhimit të përmbytjeve në raste reshjesh intensive.
