Pas mbledhjes së qeverisë së re, kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të premte, më 19 shtator, ministren e Brendshme, Albana Koçiu.
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri Edi Rama u ndal në ridimensionimin e këtij dikasteri, duke theksuar domosdoshmërinë e një ndryshimi rrënjësor në administratën e Punëve të Brendshme.
Po ashtu, Rama paralajmëron reformë në prefektura për të rritur efektivitetin e pushtetit vendor në administrimin e Punëve të Brendshme.
“Ligji i praktikës europiane, por ligji nuk mund të mbetet në letër në këtë aspekt që po flas, dhe forca e zakonit shqiptar të na imponojë të njëjtin avaz. Po t’i referohesh inventarit të politikave dhe strategjive të Punëve të Brendshme, është i plotë. Madje dhe paratë nga donatorë apo buxheti i shtetit për nënshkrimin e këtyre strategjive janë goxha. Por ama, po të shikosh veprimtarinë e përditshme të Punëve të Brendshme apo strukturave të pa lidhura direkt me Policinë e Shtetit, atëherë kupton se këto politika janë letra. Dhe Administrata e Punëve të Brendshme bashkë me atë të Jashtme, janë dy administrata që jetojnë në një kohë orare tjetër. Dhe kjo nuk është çështje e punonjësve. Është çështje e vizionit, e orientimit, e asaj që kërkohet nga administrata. Dhe faktikisht ndryshimi rrënjësor i administratës, i cili nuk fillon nga ndryshimi i njerëzve, por nga ndryshimi i qasjes në një drejtim që kërkon të shihen ndryshe Punët e Brendshme, është një domosdoshmëri.
Arsimimi dhe edukimi në vazhdim i trupës policore, nuk është një çështje e trupës policore, por e Ministrisë së Brendshme. Dimensioni i Pushtetit Vendor në Punët e Brendshme, po të lexojmë legjislacionin, është i gjerë, po të shohim realitetin, është i mangët.
Na duhet një reformë për prefekturat që dro drejtohet nga ministrja e Punëve të Brendshme dhe ministri për Pushtetin Vendor dhe na duhet të nxjerrim konkluzionin, na duhen apo s’na duhen fare. Nëse po si mund të bëhen një vlerë e shtuar në gjithë rrjetin e administrimit të Punëve të Brendshme dhe jo ca fole që shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në Punët e Brendshme është afër zeros.”, tha Rama.
