Emanuel Egbo mendon se titulli kampion në javën e mbetur do të diskutohet me shumë mundësi mes tre skuadrave dhe se nuk e sheh pjesë të kësaj gare edhe Vllazninë. Ish-trajneri i Tiranës ka folur në “Sport News Plus” rreth luftës në javët e mbetura dhe sipas tij, humbja e bardhebkuve në derbi ka bërë që ekipet e tjera të jenë më të qeta në këtë garë në javët e fundit.
“Shumë javë ka qenë një rokadë në ekipet se ka pasur oshilacione në ndeshje. Kukësi për mua prapë ka mundësi të afrohet me ekipet më lart, se po e shoh si shkojnë ndeshjet, plus kanë ndeshje ndaj njëri-tjetrit dhe ata që gabojnë më pak do të fitojnë kampionatin. Por si kam thënë edhe herë të tjera, është Laçi në një pozicion më të avantazhuar më shumë se të tjerët se ka organikën e mirë. Nëse bëhet menaxhim i mirë, se nuk është e lehtë në vendin e parë për ta mbajtur. Kampionati është si një maratone, Vllaznia e ka nisur në vendin e parë, është koha për një shkëputje, kanë gabuar shumë në shumë ndeshje dhe kanë komplikuar gjërat për veten. Do të jetë një kampionat shumë i vështirë deri në sprintin e fundit.
Titulli mendoj se është mes Laçit, Teutës dhe Partizanit. Po të kishte fituar Tirana derbin, do të ishin të gjithë në panik se Tirana ka shumë lojtarë që kanë fituar kampionatin dhe i ka, kurse ekipet e tjera nuk i kanë. Laçi nuk ka një lojtar të mirëfilltë kampion, Partizani ka Asanin, Malën, Hoxhën. Janë ekip që kanë eksperiencë në fitoren e titullit dhe kanë avantazh”, tha Egbo.