Instituti Australian ka thënë se presionet inflacioniste brenda vendit dhe kriza e kostos së jetesës janë rritur akoma më shumë nga kompanitë e mëdha që spekulojnë me qëllim për të pasur fitime sa më të larta. Kjo ka bërë që çmimet të rriten akoma më shumë sesa në rrethana normale.
Australia dhe pjesa më e madhe e botës po përjetojnë një rritje të lartë të niveleve të çmimeve. Arsyet më të përmendura për të shpjeguar këto nivele të larta janë rritja e çmimit të karburantit, rimëkëmbja nga pandemia Covid-19 dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Drejtorët ekzekutivë në Australi megjithatë janë shprehur kundër rritjes së pagave për punonjësit, duke pretenduar se kjo do të rezultojë në një spirale të rritjeve të vazhdueshme të çmimeve dhe të pagave, dukr shtuar akoma më shumë inflacionin.
“Tani jemi në rrezikun e rritjes së vazhdueshme të pagave, të inflacionit dhe të normave të interesit. Në rrethanat aktuale, ekziston një risk i qartë që rritja e lartë e pagave, pa përmirësimin e produktivitetit në vendin e punës, do të nxiste inflacionin dhe do të shtonte gjasat për një rritje më të madhe të normave të interesit, duke dëmtuar rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës”.
Megjithatë, studimi nga Instituti Australian ia ka vënë fajin kompanive, duke thënë:
“Australia nuk po përjeton një spirale me rritje të vazhdueshme të pagave dhe të çmimeve, ajo është në fillim të një spiraleje çmim-fitim. Llogaritë kombëtare tregojnë se është rritja e fitimeve, jo rritja e kostove, ajo që po nxit inflacionin në Australi.”
Kryeekonomisti i Institutit Australian, Richard Dennis, thotë:
“Teksa kompanitë po argumentojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të rrisin çmimet e tyre, fakti që ato po arrijnë nivele rekord të fitimeve është një dëshmi për mundësitë e shumta të zgjedhjeve që ato kanë në të vërtetë. Është mungesa e konkurrencës, jo mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, ajo që po rrit koston e jetesës në Australi. Me pak fjalë, megjithëse në planin afatgjatë firmat duhet të vendosin çmime që janë të mjaftueshme për të mbuluar kostot e tyre të prodhimit, nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë midis kostove të prodhimit dhe çmimeve, përtej dëshirës së firmave për të ruajtur ose për të rritur fitimet e tyre”.
Ai shtoi më tej:
“Duke pasur parasysh se fitimet aktualisht përbëjnë një pjesë rekord të PBB-së, thjesht nuk ka asnjë të vërtetë në pohimin se sektori i korporatave në Australi nuk ka ‘zgjidhje tjetër’ përveçse të kalojë rritjet e kostove në formën e çmimeve më të larta. Në të vërtetë, rritja e pjesës së fitimeve në PBB tregon që firmat australiane kanë zgjedhur që të rrisin çmimet më shpejt sesa ҫ’janë rritur kostot e tyre. Dhe kjo shkakton inflacion më të lartë.” / Monitor