Albi Sorrën e takojmë në ambientet e palestrës së tij, vetëm dy ditë nga ndeshja e fundit ndaj italianit Riccardo Lecca. Shenjat e fitores së merituar i dallohen edhe në fytyrë. Përshtypja e parë për ne që e shohim boksin nga jashtë, kur mendon boksier, të shkon në një njeri të vrazhdë, muskuloz, dhe të ashpër, por nuk është kështu. Mjaft mirë e ka thënë boksieri i famshëm irlandez, Wayne Kelly: E njëjta dorë që shkruan një poemë të bukur, mund të të rrëzojë me një grusht dhe kjo quhet drejtësi poetike.
Albi na tregon se e ka nisur boksin në moshën 12-vjeçare, por na rrëfen se në fakt fillimisht ka qenë futbollist. “Në gjithë familjen tonë nuk kemi njeri që lidhet me boksin, po vëllai im ishte në sportin e boksit, për qëllime fitnessi, kurse unë merresha me futboll si fillim. Duke qenë dhe pak natyrë rebele, ndërsa të boksi ku ishte vëllai ishte klub shtetëror”, thotë boksieri profesionist.
Mbështetja e të vëllait, Fajtonit ka qënë që në hapat e para të Albit, madje pa nisur ende të merrej seriozisht me boksin, pasi ka dhunti e pasion punën e trajnerit. “Gjërat që i mësonte, mi mësonte mua në shtëpi. Dhe kur nisa boksin isha gati gjysmë i përgatitur”, thotë Albi.
Për 16 vite ai ka qenë boksier amator, dhe prej një viti e pak boksier profesionist. Sipas tij, ndryshimi mes boksit amator dhe atij profesionist është si të luash ping- pong dhe tenis.
Në këtë vit si boksier profesionist, nuk do të thotë pak të kesh pesë ndeshje, dhe të pesta me fitore. E për Albin sekreti i tij i fitores është se është “too smart”, pjesë e emrit të tij si boksier. “Stili im i boksimit karakterizohet nga teknik e rafinuar dhe kjo falë eksperiencës që kam marrë në boksin amator. Të jesh teknik do të thotë të kesh pak kapacitet të lartë mendor. Teknika dhe taktika janë dy të ndryshme po kur një sportist është me intelekt të mirë këto të dyja i bën mirë. Kam punuar në mënyrë teknike, ti bëj gjërat saktë. Ajo që më mungon mua, forca goditëse që nuk e kam goditje dëmtuese që ti bën knock out. Unë ndeshjet i kam fituar me pikë”, rrëfen boksieri profesionist 29-vjeçar.
Ndeshjen e radhës Albin do e shohim në 20 prill në Ferizaj të Kosovës, në 12 raunde ndaj David Bausas, nga Çekia. Kjo është ndeshje për brez, titull botëror i versionit UBC, version mesatar për nga prestigji në boksin profesionit dhe kjo ka mjaft domethënie për të. Për pritshmëritë e tij, Albi thotë se “99% e boksierëve që janë kampion bote sot kanë ëndërruar të jenë, po nuk kanë thënë. Ata kanë provuar po mund të dalë kampion bote. Dua të jem realist, ëndërroj të shkoj aty po kjo me kalimin e kohës, do motivohem dhe them mund të arrij kampion bote. Jam më realist”.
Edukimi në Rusi dhe eksperienca që solli në Tiranë në “Arena Boxing and Fitness”
Albi Sorra për pesë vite ka studiuar në Rusi në fushën e Kulturës Fizike dhe Sportit dhe vendosi të kthehej në vendin e tij për të zhvilluar karrierën dhe jo vetëm. Bashkë me të vëllain, Fatjonin, në 2013 ata hapën “Arena Boxing Club and Fitness” dhe sigurisht puna aty tregon më së miri që eksperienca bën diferencën. “E trajtojmë si shkollë boksi, ku kemi 13 kampion kombëtar, dhe 7 nënkampiona nga të gjitha moshat”, dhe kjo është arritur në vetëm dy vite punë të palestrës. Nëse do të bënte karrierën e tij në Rusi apo gjetkë, Albi thotë se e ka menduar dhe vazhdon ta mendoj, por nuk nxitohet sepse punën e tij e ka ngritur këtu.
“Vajza ishte motivi që të vazhdoja boksin”
Çdo sportist gjithë jetën shoqërohet nga dilema ta lë tani, ta lë pastaj pasionin, dhe Albi Sorra nuk bën përjashtim nga kjo. Ai ka një familje të mrekullueshme, bashkëshorten Marina dhe vajza Jerina. Albi është bërë baba pikërisht në kohën kur dhe nisi boksin profesionit. A e ndihmon apo pengon familja në sportin e tij, ai përgjigjet se derisa të lindte vajza ka qenë në dilemë për të lënë boksin. Por kur lindi vajza, ajo u bë motivi më i fortë për të për të vijuar. Madje sot, që vogëlushja është një vjeç e gjysmë Albi thotë se ka shenja se do të bëhet sportiste, është mjaft aktive e shkathët, për më tepër që dhe nga familja e Marinës janë familje sportistësh.
Kur e pyesim nëse bashkëshortja ka lidhje me boksin Albi na thotë se “ka lidhje 100 për qind me boksin se ka burrin boksier” (Qesh). Për një sportit është shumë e rëndësishme mbështetja e familjes dhe Albi na thotë se nuk i ka munguar kurrë. Bashkëshortja e tij Marina ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Sporteve në Tiranë dhe është instruktore fitnesi në Arena në grupin e vajzave. Sigurisht para një ndeshje edhe ajo ka tensionet dhe merakun, por është emocion i bukur.
UBSH- Promovimi i boksit shqiptar në një dimension tjetër, më të ndjekurin pas futbollit
Në nëntor të vitit të shkuar është krijuar zyrtarisht Unioni i Boksit Shqiptar, qëllimi i të cilit është të çojë boksin në dimension tjetër, dhe të bëhet sporti i dytë më i ndjekur në Shqipëri pas futbollit.
Iniciativa për krijimin e saj është marrë nga Ilir Bregasi, dhe aktiviteti i parë i UBSH ishte në dhjetor. Promovimi i boksierëve shqiptarë është fokusi kryesor dhe vazhdimësia e boksit profesionist
“ Unë nuk dalë asnjëherë me flamur…unë i jap shumë shoqërisë me fëmijët që merrem këtu që u jap formim të mirë, ky është për mua patriotizëm”, thotë Albi, duke shtuar se ai është pjesë e UBSH dhe qëllimi kryesor është t’i krijojë çdo brezi mundësi të bokosojë në nivele të larta dhe kjo realizohet duke u krijuar kushtet boksierëve. Një boksier mund të ketë talent, por nuk ka rrugën të hapur të boksojë në mënyrë zyrtare dhe në nivele të lartë. UBSH krijon infrastrukturën e duhur ligjore e stërvitore që një boksier që del produkt i këtij organizmi të arrijë këtë. Por veç UBSH është krijuar dhe Arena Boxing Poromotion, për promovimin e boksierëve, dhe kjo është një industri e re me mjaft vlera për sportin shqiptar
E lëmë Albin në palestrën e tij, teksa bëhej gati të vinin të talentuarit e radhës që ai dhe vëllai i tij stërvisin. Në një kënd të palestrës na ranë në sy dhe kupat e fituara nga anëtarët e Arena Boxing Club dhe sigurisht janë krenari jo vetëm për këtë klub por për të gjithë shqiptarët.