Prej marsit të këtij viti kur pandemia botërore e shkaktuar nga virusi COVID-19 mbërtheu edhe vendin tonë, sistemi arsimor hyri në kolaps për shkak të masave që duhet të merreshin nga qeveria për për përballimin e situatës.
E megjithatë në shtator vitit i ri shkollor nisi edhe pse me disa rregulla të reja.
Të gjithë prindërit u lehtësuan pasi alternativa e mësimit online ishte një metodë që krijonte vështirësi për fëmijët dhe prindërit e tyre.
Por tashmë që jemi drejt mbylljes së muajit Tetor dhe rastet me COVID janë shtuar kudo, në shkolla ka lindur edhe një tjetër problem.
Në redaksinë e Tirananews.al një qytetar nga Tirana ka denoncuar se në një shkollë në Tiranë, një mësues edhe pse është diagnostikuar i infektuar me COVID, por asimptomatik, vijon të japi lirisht mësim. Pasi ai nuk ka preferuar të deklarohet si i sëmurë.
Pas këtij denoncimi të ardhur në redaksinë e Tirananeës.al, ne ju drejtuam Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar. Nga kjo zyrë na erdhi përgjigje se kjo drejtori nuk është në dijeni që në shkolla të ketë fenomene të tilla. Dhe se u është lënë mësuesve në dorë të vetëdeklarojnë nëse janë të sëmurë ose jo. Megjithëse ditë pas dite zbulohen raste të personave të infektuar me koronavirus në institucionet arsimore të vendit dhe situata është mjaft serioze.
Po ashtu për gjendjen në shkolla, Partia Demokratike fajëson qeverinë, me argumentin se nuk ka marrë asnjë masë, duke shtuar se fsheh numrin e të infektuarve.
Ndërkohë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar bëhet e dije se sipas informacionit të përditësuar rezultojnë mesatarisht 125 mësues të karantinuar apo pozitiv prej fillimit të shkollës.
Rasti më i fundit ishte ai i shkollës “Emin Duraku” në Tiranë, ku 5 mësuese dhe 3 punonjëse të kësaj shkolle kanë rezultuar pozitive për Covid-19.
Më pas 29 mësues të tjerë janë vetëkarantinuar, në pritje të përgjigjeve të tamponëve.
Përgjigjet e pyetjeve që Tirananews.al i drejtoi DPAP
Sa mësues ju rezultojnë ju të jenë të karantinuar për shkak të kontakteve me persona të infektuar deri më tani në gjithë vendin?
Sipas informacionit të përditësuar rezultojnë mesatarisht 125 mësues të karantinuar apo pozitiv prej fillimit të shkollës.
Sa mësues kanë rezultuar të infektuar që prej nisjes së këtij viti shkollor?
Ndarjen midis të karantinuarave dhe të infektuarve e bën ISHP, nuk kemi të dhëna
Cili është mekanizmi që ju keni ndjekur në zbatim të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, për t’u siguruar që mësuesit janë të shëndetshëm?
Zbatimi i masave të përcaktuara në protokollin e ISHP. Mjedise të dezinfektuara, të higjienizuara, mbajtja e maskës, ruajtja e distancave.
A jeni në dijeni që në shkolla ka mësues që kanë rezultuar pozitiv (të pa deklaruar), të cilët janë asimptomatik dhe vijojnë të shkojnë rregullisht në punë?
Nuk jemi ne dijeni për raste të mësuesve që janë asiptomatik dhe vijojnë punën. Në çdo rast mësuesit vetedeklarohet për gjendjen shëndetësore të tij dhe ka përgjegjësi për të bërë deklarim të saktë dhe pa fshehur gjë./Tirananews.al