Emërimet në Gjykatën e Lartë pritet që të pezullohen sërish. Përkundër deklarimeve të përfaqësuesve të mazhorancës dhe atyre ndërkombëtarë të cilët kanë garantuar për plotësimin e vendeve vakante të kësaj gjykate, rrezikon që ky proces të ndërpritet nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor, përgjegjës që të bëjë përzgjedhjen.
Burime për tirananews.al bëjnë me dije se në Gjykatën Administrative të Apelit janë depozituar dy padi ku kërkohet pezullimi i veprimtarisë së KLGJ për procedurat e emërimit në Gjykatën e Lartë.
Mësohet se një javë më parë, avokati Ndue Pjetra ka paditur Këshillin e Lartë Gjyqësor ku kërkon pezullimin e KLGJ-së për procedurat e emërimit të Gjykatën e Lartë si dhe shfuqizimin e vendimit nr.159 date 11.09.2019 te KLGJ me qellim vijimin e procedurës së përzgjedhjes së gjyqtarëve për Gjykatë të Larte, nga radhët e juristëve, për Z. Ndue Pjetra. Të njëjtin objekt ka edhe padia e depozituar nga avokati Jordan Daci. “Marrjen e masës së sigurisë, duke urdhëruar Këshillin e Lartë Gjyqësor të pezulloje procedurat e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë nga radhët e juristëve të spikatur për katër vendet e lira të shpallura me Vendimin Nr.108, date 09.07.2019, Vendimin Nr. 109, datë 09.07.2019, Vendimin Nr, 110, date 09.07.2019 dhe Vendimin Nr. 172, date 11.09.2019 e Këshillit të Lartë Gjyqësor, deri në zbardhjen e vendimit të arsyetuar të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë lidhur me ankimin e kandidatit, kërkuesit z.Jordan DACI, të skualifikuar dhe përjashtuar nga procedurat e emërimit në Gjykatën e Lartë sipas Vendimit Nr. 162, date 11.09.2019 “Për skualifikimin dhe përjashtimin e kandidatit z. Jordan Daci nga procedurat e emërimit në Gjykatën e Lartë” të Këshillit të Lartë Gjyqësor, objekt shqyrtimi para kësaj gjykate. /tirananews.al