Tirananews.al ka siguruar dokumentin e Partisë Demokratike me udhëzimet për zhvillimin e protestës së 16 marsit në Tiranë.
Në dokumenti e dërguar gjithë Kryesive të degëve të PD, kërkohet që kryetari dhe të delguarit për çdo qark, të organizojnë dhe të mobilizojnë qytetarët dhe anëtarësinë, për pjesëmarrjen në protestën e 16 marsit në Tiranë.
Kështu, Kryesia e Degës dhe të deleguarit, duhet të diskutojnë për:
Përgatitjen për pjesëmarrje në Protestën e madhe më 16 Mars 2019, ora 11:00, në Tiranë përpara Kryeministrisë.
Organizimin e punës për takimet derë më derë në nivel seksioni dhe grupseksioni, dhe format e përshtatshme për të ftuar dhe siguruar pjesëmarrjen e anëtarëve dhe qytetarëve të tjerë në Protestën e Madhe në Tiranë, apo në protestat lokale.
Ndarjen e të Deleguarve dhe anëtarëve të Kryesisë së Degës në zonë. Për këtë qëllim hartohet dhe ndiqet një kalendar i qartë pune dhe takimesh.
Parashikimin e pjesëmarrjes në nivel grupseksioni dhe në nivel Dege, si dhe të merren masa për evidentimin e pjesëmarrjes me qëllim vlerësimin e kontributeve. Raportimi i parë më datë 10 Mars 2019 brenda orës 17.00. Në datë 14.03.2019 brenda orës 19.00, bëhet raportimi final për pjesëmarrjen dhe nevojat objektive për ndihmë nga degët.
Përcjellja e mesazhit të qytetarët për sigurimin e pjesëmarrjes maksimale me të gjitha format, takime me strukturat, takime me qytetarët derë më derë, ture të Kryetarit, fletushka, njoftime në rrjetet sociale, njoftimit me sms apo telefonata, etj. Mesazhet mbeten te njëjta me ato të protestës së 16 Shkurtit, duke shtuar që opozita ka hedhur një hap të ri, dorëzimin e mandateve për të qenë bashkë me qytetarët dhe të barabartë me to në përpjekjet për mirëqenien e qytetarëve dhe një Qeveri që punon për qytetarët.
Përgatitja e logjistikës për transportin dhe shpenzimet në ditën e protestës; caktimi i vendit të nisjes nga Dega’, shkruhet në dokument. / tirananews.al