Deri në orët e mbrëmjes u mbajt sekret dhuna mbi ish shefin e Komisariatit Dibër Robert Aga. Ndërkohë mbërritja e tij në gjendje të rënduar, në spitalin Rajonal Peshkopi, ka vënë në lëvizje efektivët e Policisë lokale.
“Në orët e mesditës Robert Aga dhe Hasan Hoti, ish administratori i Njësisë Lurë, kanë frekuentuar një lokal në afërsi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, në pritje të fillimit të seancës gjyqësore të radhës. Sapo kanë lënë lokalin tre persona, mes tyre dhe pronari ku Aga dhe Hoti kanë pirë kafe, e kanë sulmuar me grushte, shkelma dhe mjete rrethanore ish shefin e Komisariatit, Robert Aga”, bënë me dije burime pranë Policisë Peshkopi.
Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes i thanë oficerëve të Policisë Gjyqësore se Aga pas goditjeve të befasishme dhe të shpeshta ka rënë në trotuar pa ndjenja.
“Mos mor burra, ç’ju kam bërë që më qëlloni”, janë dëgjuar thirrjet e Agës. Po edhe pse i shtrirë ai është goditur përsëri nga tre persona.
Sipas dëshmitarëve të marrë në pyetje njëri nga personat që godiste Robert Agën ishte pronari i lokalit në rrugën që të çon të Gjykata Dibër.
Pas dhunimit Aga është dërguar nga disa qytetarë në spitalin e Peshkopisë ku ka marrë ndihmën e parë. Pak minuta pas ngjarjes kanë mbërritur edhe efektivët e Policisë Dibër. Ato kanë marrë dëshminë e Agës i cili ka rrëfyer ngjarjen e rëndë si dhe emrat e personave që e kanë sulmuar fizikisht.
Në orët e mbrëmjes në Dibër kanë mbërritur të afërmit e Agës dhe kanë mundësuar transportimin e tij drejt Tiranës, aty ku ai banon aktualisht.
Hasan Hoti është shprehur në Polici se në momentin kur Aga është goditur ai po fliste në telefon dhe nuk i ka shquar personat që e sulmuan dhe u larguan me shpejtësi, por ka dëgjuar thirrjet e tyre se: “Ke dashur t’na dënosh, t’na fusësh në burg”.