U dhunua keq nga ariu dhe mbeti invalid për gjithë jetën dhe tani jeton në kushte të vështira ekonomike. Shpëtim Rrema nga Patini i Klosit është 47 vjeç. Teksa lëviz në rrugë dallohet mënyra se si ecën. I kërrusur, i dobët, i ngadaltë. Historia e tij është rrënqethëse. 25 vite më parë është rrahur keq nga ariu dhe kjo i ka lënë pasoja të rënda. Teksa flet për ngjarjen duket sikur po tregon filma. Por realisht ai është personazhi i asaj ngjarje tronditëse.

“Ishte shtatori i vitit 1996, thotë Rrema. Atë ditë po kullosja bagëtitë e një komshiut tim. Në pyllin me lisa, shkozë, dëllenja, në Lakate të Kolës, teksa ecja një rruge të ngushtë përballem me arushën. Isha djalë i ri dhe i shëndetshëm dhe për momentin mendova se do t’i shmangesha. Por brenda pak sekondave më kafshon në krahun e majtë. Pastaj më rrëzon përtokë dhe më godet me sa fuqi kishte, me shpulla dhe më kafshonte kudo, në krahë, këmbë, kurriz. Gjaku rridhte lumë. Nuk pata asnjë mundësi të ikja. Mbeta mes shkurreve dhe vetëm bërtisja me zë të lartë”, tregon për tirananews.al duke iu dridhur zëri Shpëtim Rrema.

Teksa ka dëgjuar britma e Rremës ka vrapuar drejt vendit të ngjarjes N.Shpani, një gjahtar i njohur i zonës. Me çifte në dorë ai ka qëlluar disa herë në ajër. Ariu është larguar ndërsa të afërmit kanë realizuar transportin e Shpëtimit me kafshë dhe me makinë drejt spitalit të Burrelit. Kuptohet nga kafshimet dhe dhuna ai kishte humbur shumë gjak dhe ishte në gjendje kome.

“Kur mbërrita në spital isha në gjendje kritike për jetën, vijon rrëfimin  Shpëtim Rrema. Kirurgu Hasan Ceni nisi menjëherë qepjen e plagëve dhe për shkak të gjendjes së rënduar fillimisht mendoi që të transportohesha për Tiranë. Por parametrat po normalizoheshin dhe u shtrova dhe mjekova në spitalin “Xhavit Mara” të Burrelit. Zoti dhe mjekët më shpëtuan, por tani përballem me plot vështirësi ekonomike”, pohoi Rrema.

Ai trajtohet aktualisht me 10 mijë lekë në muaj, ndërkohë që duhet të mbajë gruan e dy fëmijë që janë ende të vegjël. Nuk ka asnjë të ardhur tjetër. Nuk ka bagëti as tokë.

“Disa herë më kanë premtuar ndihmë dhe mbështetje por ende jetoj në kushte jo të mira. Shpëtova nga ariu, por jo nga varfëria. Pres nga pushteti lokal dhe shoqatat mbështetje” e mbyll tregimin e tij 47 vjeçari nga Klosi i Matit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here