Është e veçantë historia e familjes Haxhijaj nga Lisi i Matit. Gjyshi, djali dhe nipi ndërrojnë jetë në shtëpinë e Zotit, në xhami.
Adem Zeqir Haxhijaj ka ndërruar jetë në xhaminë e Lisit teksa kryente ritet fetare. Kjo ka ndodhur para vitit 1967, kohë kur regjimi komunist ndaloi fenë në vend. Besimtarë të kohës shprehen se Adem Zeqiri ishte një burrë i zgjuar, i devotshëm, bujar dhe me influencë në krahinën e Lisit.
Edhe djali i Ademit, Sabriu, pas viteve ’90-të, kur besimi fetar u rikthye në Shqipëri ishte një nga predikuesit e parë në xhaminë e Burrelit. Një burrë i urtë, punëtor, i ndershëm, i drejtë, ndërroi jetë pesë vite më parë na xhaminë e Burrelit, pikërisht aty ku prej vitesh kryente ritet fetare me besimtarë të tjerë.
Sakaq vetëm pak ditë më parë, vdes në ambjentet e xhamisë Burrel, djali i Sabriut, pra nipi i Adem Zeqirit, Vladimir Haxhijaj.
Vladimiri ishte imami i xhamisë Burrel prej shumë vitesh. Kishte shkollim dhe ndikim në krahinën e Matit dhe më gjërë. Falë cilësive të tij ai edukoi shumë breza dhe humbja u përjetua me dhimbje nga besimtarët dhe banorët e Matit.