Urdhri ekzekutiv i Donald Trump për ndërprerjen e fondeve për ndihmat e huaja për një periudhë 90 ditore ka prekur edhe misionet amerikane ICITAP dhe OPDAT në Shqipëri.
Mësohet se pas vendimit të Trump, ekspertët amerikanë të këtyre misioneve që ishin vendosur nëpër institucionet shqiptare janë larguar.
Bëhet fjalë për personat dhe grupet e punës që kanë no dhënë ekspertizën e tyre në fushën e ligjbërjes dhe ligjzbatimit, madje një pjesë e tyre kanë punuar edhe me reformën në drejtësi dhe procesin e vetingut në drejtësi.
Përfshirja e OPDAT dhe ICITAP me ekspertizë ligjore në Shqipëri është e zgjeruar, duke përfshirë këtu edhe institucionet e drejtësisë, sidomos strukturat e posaçme, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Ekspertët paguheshin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes linjës së ndihmës së huaj për forcimin e institucioneve dhe shtetit ligjor në Shqipëri.
Por, urdhri i Donald Trump, që ka pezulluar fondet për këtë linjë për 90 ditë ka pezulluar edhe pagesat e ekspertëve. Në këto kushte, ata janë larguar na institucionet shqiptare në pritje të një vendimmarrje përfundimtare që do të mbërrijë nga Uashingtoni.