Eksperti i ekonomisë Klodian Muço tha se priten çmime të papërballueshme për shqiptarët në këtë sezon turistik.
Ai tha se po diskutohet që një çadër plazhi në disa zona të Shqipërisë të jetë 50 euro.
“Turizmi do të jetë vërtetë sektori më i prekur, por për momentin, ajo që mund të bëjë qeveria është vetëm subvencioni. Aplikimi i masave, ruajtja e distancave, mbyllja e sistemit dhe hapja e tij e dëmtojnë turizmin por dhe në këto momente, nëse do të ruajmë distancat dhe do të ruajmë çfarë është diskutuar nga Ministria e Turizmit, i bie që kostot e turizmit shqiptar do të jenë shumë të larta. Diskutohet që një çadër të shkojë në disa zona të Shqipërisë deri në 50 euro, gjë që konsumatori apo turisti shqiptar e ka të papërballueshme këto çmime.
Në të tilla kushte, duke nisur nga fakti që një pjesë e mirë e turistëve të huaj që kishin prenotuar për në Shqipëri, nuk do të vijnë atëherë, i vetmi që mund të stimulojë kërkesën në sektorin turistik janë turistët shqiptarë. Qeveria mund të gjejë një zgjidhje përsa i përket lehtësimeve fiskale duke bërë një marrëveshje me shoqatat turistike me qëllim që të ruajë çmimet që të mos rriten në mënyrë të ndjeshme. Sigurisht që kostot do rriten duke larguar distancat apo duke ruajtur distancat ndërmjet individëve, por nuk duhet të kalojë disa limite sepse ndryshe turizmi do të dëmtohet më shumë nga sa e ka parashikuar Organizata Botërore e Turizmit”, tha Muço për Fax News.
