Një tjetër anëtar i grupit kriminal të Arben Ndokës është ekstraduar nga Italia për tu përballur me drejtësinë shqiptare.
Bëhet fjalë për Ilia Ndokën, 50 vjec, për të cilin Gjykata e Posaçme e Shkallës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë si të dyshuar për veprat penale “Pastrimi Parash” , “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale si organizata kriminale”.
Ilia Ndoka, kushëri i Arben Ndokës, u arrestua në vendin fqinj në maj të 2024-ës pasi nga Prokuroria e Posaçme SPAK u shpall në kërkim ndërkombëtar gjatë operacionit ‘Revanshi’ ku u lëshuan mbi 50 masa sigurie dhe u zbuluan përplasjet e fisit Ndoka me dy vëllezërit Valter e Durim Bami në Nikël.
Sipas SPAK 50 vjeçari Ilia Ndoka kishte rol për të ndihmuar me para dhe me informacion të afërmin Arben Ndokën, i cili ishte venë në kërkim të vrasësve të vëllait të tij Aleksandër Ndoka.
Arben Ndoka për vrasjen e të vëllait dyshonte Durim dhe Valter Bamin ndaj të cileve nisi hakmarrjen.
Për këtë ai bëri pakt edhe me grupe te tjera, Avdylajt në Shijak, Ervis Martinaj, Emiljano Shullazini, e shumë persona të tjerë.
Ndërkohë sot nga Gjermania u ekstradua edhe 18 vjecari Flavio Mërkuri, i dënuar me 2.5 vite burg për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.