Etjan Nikulaj është mbajtur në vëzhgim nga autorët për të paktën dy ditë me radhë. para se ta vrisnin mbrëmjen e së shtunës. Në këtë konkluzion kanë dalë hetuesit pas këqyrjes së kamerave të sigurisë të bizneseve në zonën e Lezhës dhe të Shëngjinit, ku qëndronte dhe lëvizte më së shumti viktima.
Mjeti tip ”BMW” ngjyrë gri e përdorur nga atentatorët që e gjet e djegur në zonën e Rinasit është fokusuar edhe një ditë para ngjarjes duke lëvizur në zonën e Lezhës, por nuk është arritur identifikimi i personave që kanë qenë brenda makinës, pasi ata janë treguar të kujdesshëm.
Deri tani janë shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona, mes të cilëve dhe pjesëtarë të fisit Lekstakaj me të cilët janë në hasmëri fisi Nikulaj, por nuk është arritur të provohet që të kenë lidhje me ngjarjen dhe ata janë lënë sërish të lirë.
Pista kryesore e hetimeve është ajo e gjakmarrjes, por pa përjashtuar edhe konflikte të tjera. 40-vjeçari Etjan Nikulaj është përshkuar nga 7 plumba në pjesë të ndryshme të trupit, ku dy prej tyre i kanë prekur organet jetësore duke i marrë edhe jetën.
