Anëtari i Këshillit Bashkiak të Lezhës, dhe kandidat për një tjetër mandat, u vra në mes të fushatës elektorale. Ekzekutimi i 50-vjeçarit Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Shëngjin teksa ishte duke konsumuar kafen, vijon të mbetet pa autor. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë autorit mendohet të ketë ardhur nga Shkodra dhe duket lëvizur me një motor “Skuter”, kamufluar me skafandër dhe një jelek fosforishent, i ngjashëm me ato të policisë rrugore.
Pasi kryen krimin ai largohet sërish qetësisht me motor, duke ndjekur të njëjtin itinerar përgjatë superstradës në drejtim të Shkodrës dhe në zonën e Gjadrit humbet gjurmët. Në këtë pikë ku nuk ka as kamera në rruge mendohet të jetë ndihmuar dhe nga persona të tjerë për tu larguar.
Për të realizuar atentatin ndaj biznesmenit mendohet të kenë bashkëpunuar me njëri tjetrin një sëre personash, të cilët kanë ndjekur lëvizjet e objektivit, duke sinjalizuar autorin për të kryer vrasjen, pikërisht në momentin kur ka hyre në lokalin “Coral” në pronësi të tij në vijën e parë të bregdetit të Shëngjinit. Nga veprimet hetimore të kryera është dalë në konkluzionin se autori ka qenë një vrasës, profesionist duke vepruar qetësisht pa lënë gjurmë dhe pa dëmtuar persona të tjerë që ndodheshin në lokal.
Pista kryesore e hetimeve është përqëndruar tek hasmëria mes viseve që lidhet me vrasje te ndodhura vite më parë, por nuk përjashtohet mundësia se krimi mund të ketë ardhur për shkak të konflikteve që lidhen me biznesin.