Elton Bardhi është një i apasionuar pas gdhendjes së drurit. Ai është nga fshati Karic i rrethit të Matit, vend nga trashëgoi pasionin dhe artin e të punuarit të drurit. Aktualisht Eltoni jeton në Fushë-Kuqe në Laç sëbashku me familjen e tij duke u përpjekur të plotësojë nevojat jetësore përmes punimeve të ndryshme. Gdhendja e drurit ka tradita të lashta në artin popullor shqiptar, sidomos në viset kodrinore e malore të pasura me pyje. Në zanafillë ishte mjeshtëri e barinjve.
Eltoni ka marrë pjesë në panairet e organizuara ne Qarkun e Dibrës dhe në qytete të tjera me punimet e tij artizanale. Po të shihni me kujdes druri i blirit është punuar me finesë dhe kjo ka shtyrë shumë banorë të porosisin nga e gjithë Shqipëria punime me dru si korniza, ora druri, dyer, tavolina, karrige etj. Si mjeshtër i oriendive shtëpiake plotëson nevojat e jetës familjare. Punimi artistik i drurit si profesion nuk është shumë i përhapur. Por Eltoni përveçse si profesion, e ka atë edhe pasion.
Ai rrëfen se çmimi me i lartë i fituar ka qenë 4 milion lekë dhe ka realizuar 350 karrige. Por jo gjithçka është kaq e lehtë. Krahas vështirësive të shumta, punimi i drurit kërkon edhe mjaft kohë për ta realizuar atë në formën më të mirë të mundshme duke shkrirë edhe zemrën në gdhendje. / tirananews.al