Të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit duhet të deklarojnë adresën e banimit të tyre, ndryshe do të penalizohen nga të gjithë shërbimet që do t’iu duhen nga shteti shqiptar kur të kthehen në atdhe.
Këshilli i Ministrave vendosi bërjen e detyrueshme deklarimin e vendbanimit të emigrantëve. Gjithçka mund të bëhet online, përmes platformës qeveritare e-Albania.
Një vendim i tillë erdhi pas propozimit të përfshirjes së emigrantëve në votimet e 25 prillit.
Sipas vendimit të qeverisë, emigrantët e kanë detyrim ligjor deklarimin e adresës së tyre të banimit jashtë shtetit dhe në rast se refuzojnë ta bëjnë atë nuk do të kenë të drejtë vote, por edhe nuk do të marrin shërbime të Gjendjes Civile, siç është marrja e dokumenteve të ndryshme, përfshirë edhe pajisjen me pasaportë apo kartë identiteti.
“Shtetasit shqiptarë mbajnë përgjegjësi administrative për mos përmbushje të detyrimit ligjor të vetë deklarimit të adresës së tyre dhe autoritetet përgjegjëse, në rast konstatimi të mos përmbushjes së këtij detyrimi, pezullojnë kryerjen e shërbimit të kërkuar, derisa shtetasi të përmbushë detyrimin ligjor të vetë deklarimit të adresës”,- thuhet në vendim e qeverisë.
Në rast se ndryshojnë adresën, emigrantët janë të detyruar që të deklarojnë vendbanimin e ri brenda 60 ditëve.
