Sot u mbyllën Lojërat e 32-ta Olimpike “Tokio 2020”, me rekorde pozitive sa i përket arritjeve sportive. Emra të rinj fituesish iu shtuan gjeografisë olimpike, ndërkohë që harta e shteteve fituese u zgjerua ndjeshëm. Në “Pekin 2008” morën medalje 86 shtete, në “Londër 2012” medalje morën 85 shtete, në “Rio 2016” shijen e medaljeve e provuan 87 shtete, ndërsa në “Tokio 2020” morën 93 shtete medalje. Në këtë hartë mungon Shqipëria, e cila edhe pse që nga “Barcelonë 1992” është pjesëmarrëse e rregullt, ende nuk e ka fituar një medalje olimpike, qoftë edhe të bronztë!
Prej viti 1896 kur u zhvilluan lojërat e para olimpike moderne, baroni francez Piere dë Couberten, theksonte, se deviza e këtyre aktiviteteve ndërkombëtare periodike sportive: “Ishte pjesëmarrja…”
Në ato vite të hershme, pati debate të mëdha rreth të pjesëmarrjes së sportistëve. Në Olimpiada nuk do të lejoheshin të merrnin pjesë, ata që e kishin zgjedhur sportin si mënyrë jetese dhe ushqyerje. Pra nuk do të lejoheshin profesionistët, por kryesisht amatorët, përjashtuar këtu sportin e skermës. Kjo e përligjte dhe i dha edhe më tepër kuptim shprehjes: “Rëndësi ka pjesëmarrja”.
Vetëm në Lojërat Olimpike të Koresë së Jugut, “Seul 1988”, u ndryshua ky rregull, duke i hapur rrugë edhe sportistëve profesionistë të merrnin pjesë nëpër Olimpiada.
Shqipëria për herë të parë në historinë e saj olimpike, ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Gjermanisë “Mynih 1972”, me pesë sportistë në dy sporte, 3 qitësit Afërdita Tusha, Fatos Pilkati, Ismail Rama, Beqir Kosova, si dhe peshëngritësin Ymer Pampuri, i cili në peshën deri 60 kg. përmirësoi edhe rekordin botëror në stilin e forcës.
Në katër Olimpiadat që pasuan, Shqipëria nuk mori pjesë, për t’u rikthyer në këtë aktivitet të përmasave botërore, pas 20 vitesh, në Olimpiadën e Spanjës “Barcelonë 1992”.
Rezultate mbetën po ato, duke mos munduar askush të bënte më mirë deri në Olimpiadën “Sidnei 2000” në Australi, ku peshëngritësi Ilir Suli u rendit i 5-ti në peshën e tij, pozicion që u përsërit më pas edhe nga peshëngritësja Romela Begaj.
Peshëngritësi Briken Calja, së bashku me atleten Luiza Gega, arritën rezultatet më të larta ndër sportistët shqiptarë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Brikeni, u rendit i katërti në peshën e tij, rezultat historik ky për vendin tonë, ndërsa Luiza, për herë të parë në historinë e atletikës shqiptare, ia arriti të marrë pjesë në finalet e një gare olimpike, në këtë rast, 3000 metra me pengesa.
Pa u marrë shumë me rezultatet, këta janë edhe dy sportistët shqiptarë, që u dalluan në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, edhe pse pa medalje. Aq u dalluan këta, sa që tërhoqën edhe vëmendjen e drejtuesve të politikës shqiptare, të cilët me statuset e tyre në rrjetet sociale, ngjanin si justifikime për ato fondet e dhëna për sportin dhe lënien e tij pas dore…
Financat dhëna “last minute” në fakt, nuk e bënë as më të fortë Brikenin, as më të shpejtë Luizën, por ndoshta i ndihmuan ata të paguajnë dhe përballojnë diçka nga shpenzimet e kryera për përgatitjen e kësaj Olimpiade, një faze përgatitore që shkoi një vit dëm, pas shtyrjes së lojërave për shkak të pandemisë.
Ndërsa pjesës tjetër e delegacionit, i shërbyen si “dekor” për të përmirësuar rekordet tona kombëtare, apo edhe për të parë Japoninë dhe Tokion.
Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë pas Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. Me gjasa, asgjë nuk do të ndryshojnë dhe ne do të dëgjojmë të njëjtin refren: “Do të fillojmë që tani të punojnë për Olimpiadën pasardhëse”!
Shqipëria, vërtet ka munguar në Olimpiadën “Seul 1988”, kur ndryshuan edhe disa rregulla bazë të Lojërave Olimpike, por dikush duhet t’iu thotë drejtuesve të sportit shqiptar që në Olimpiada nuk shkohet më me shprehjen e Coubertin, thuajse të një shekulli më pare: “Rëndësi ka pjesëmarrja!”.
Për këtë, shembullin nuk na duhet ta shohim tek Amerika me 113 medalje, as Kina me 88, por shumë afër, te Kosova e vajzave të arta të xhudos, për të mos përmendur Sirinë e luftës që nuk besoj ka kushte më të mira se ne, që arriti të fitojë medaljen e parë olimpike, Burkina Faso, apo San Marino e 35 mijë banorëve…