Reagimi qytetar ndaj dhunës së ushtruar nga një grup policësh ndaj të miturit tregoi pikërisht këtë: frikën se mos ajo mund t’u ndodhte edhe fëmijëve të tyre dhe ankthin për këtë që ndodh.
Ai rast përforcoi edhe bindjen se media ndodhet kudo në jetën tonë. Ajo na ushqen disa nevoja, si psh shuarjen e kuriozitetit, por na konfirmoi edhe disa pakënaqësi që kemi ndaj institucioneve shtetërore dhe shërbimeve publike që ato sigurojnë.
Por nëse ajo skenë e dhunës u bë e dukshme rastësisht falë kuriozitetit të dikujt që e filmoi, rasti i dytë u shfaq në ekrane në një formë tjetër. Titullari i një institucioni, hallka më e lartë i hierarkisë në vend që të kërkonte edhe ndjesë për reagimin aspak dinjitoz të kolegëve të tij, të shfaqte empati ndaj familjes së dëmtuar, e legjitimonte atë dhunë sepse sipas tij buronte në “edukimin e dhënë nga familja”.
Duke mos u ndalur më gjatë tek rasti konkret pyetja që lind është përse? Pse gjithë kjo dhunë? Nga buron kjo e drejtë e ushtrimit të dhunës dhe denigrimit të qytetarit? A është ky institucioni që u përcjellim si model më të vegjëlve dhe më të rinjve për institucionin përgjegjës për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve? A e mendojnë ata nënpunës apo edhe titullarët e tyre se sa më shumë qytetarët u ndjekin aktivitetin përmes lajmeve me përmbajtje negative, aq më shumë ata bëhen përcaktues të mendimeve negative dhe të stresit? A mendojnë ata se sa më shumë qytetarët i ndjekin në tv aq më shumë frikëra mund të kenë? Në vend të ndodhë e kundërta? Atëherë pse reagojnë në këtë mënyrë punonjësit e policisë shqiptare? Pse reaguan në atë mënyrë policët që në grup rrihnin një të mitur? Pse shkalla më e lartë e policisë së shtetit, titullari, nuk arriti të gjejë argumentat e duhur për të legjitimuar punën e tij dhe të ekipit që drejton?
Kjo është një botë që ndryshon, që paraqet pasiguri dhe tundime të forta. Ka mjaft koncepte që në një shoqëri që jeton në kushtet e varfërisë dhe të vështirësive ekonomike lihen mënjanë. Si përshembull kënaqësia prej profesionit që është edhe një ndër konceptet më të analizuara në fushën e psikologjisë së organizatave. Tek ne ky element lihet thuajse në hije. Është e mirëpranuar se mjedisi i punës e ndikon mjaft gjendjen emocionale të një të punësuari, sidomos kur kemi të bëjmë me dikë që e identifikon veten me profesionin e tij si psh. doktor, mjek, avokat, inxhiner etj. Ndoshta ata policë nuk e identifikojnë veten me profesionin e tyre, ndryshe do të duhej ta dinin se edhe kur kushtet e jashtme nuk u vijnë në ndihmë, ata kanë potencialin e brendshëm ku mund të mbështeten.
Në psikologjinë e organizatave ka një teori që njihet si teoria e fluksit, sipas së cilës duhet të ekzistojë një ekuilibër mes nivelit të aftësive të një individit dhe nivelit të provokimeve që krijon profesioni apo puna që kryen. Paraqitja, produktiviteti , motivimi, shëndeti dhe mirëqënia fizike dhe psikike e individit në vendin e punës lidhet ngushtë pikërisht me kënaqësinë në punë.
Kur aftësitë nuk përputhen ato krijojnë mërzi dhe puna kthehet thjesht në një vend nga ku merret një rrogë. Por kur aftësitë ndodhen në nivele më të larta, atëherë individi duhet të përqëndrohet edhe tek marrja e përgjegjësive që i japin një ndjesi vetëkontrolli dhe forcojnë edhe besimin tek veprimi i kryer.
Atëherë ja çfarë duhet bërë që këto skena të mos i kemi më: formim, këshillim, edukim në drejtim të vëmendjes së vullnetshme, të dëgjimit aktiv, vetëkontrollit, modelim të të menduarit, këshillim psikologjik dhe rritje profesionale e përhershme. Matja e feed-backut për energjinë që sjellin në punë, marrje përgjegjësie, vënien në ekuilibër të mjeteve që sigurojnë edhe plotësimin e nevojave parësore, të sigurisë, kuptimit, identitetit, rritjes profesionale etj.
Por të gjitha këto varen nga paratë, mentaliteti dhe sigurisht nga vendimi politik/ Tirananews.al
